Adriatik Lapaj ka dhënë një deklaratë nga spitali, duke përshkruar momentet e incidentit gjatë protestës përpara Kryeministrisë, ku u dëmtua pas një ndërhyrjeje të Policisë.
Sipas Lapajt, rreth orës 12:20 forcat e rendit kanë ndërhyrë në zonën ku ndodheshin protestuesit. “Kanë tërhequr plasmasin dhe janë rrëzuar ngrohëset. Njëra prej tyre më ka goditur në pjesën e pasme të kokës”, deklaroi ai, duke shtuar se ambulanca mbërriti menjëherë në vendngjarje.
Ai tregoi se pas goditjes kishte momente hutimi. “Ishte një moment që nuk po kuptoja çfarë po ndodhte. Po merrnin karrige e gjëra”, tha Lapaj.
Lapaj bëri të ditur se mjekët i kanë kryer ekzaminime të plota. “Më futën në skaner, më bënë serume dhe disa ilaçe”, u shpreh ai, ndërsa sqaroi se i janë rekomanduar disa ditë pushim. “Më kanë rekomanduar 4–5 ditë pushim dhe me ilaçe”, tha ai.
Megjithatë, Lapaj deklaroi se synon të rikthehet në protestë. “Besoj do dal sot dhe do rikthehem në shesh. Unë e besoj këtë që po bëj. Është çështje e një shoqërie që duhet të kuptojë që ka pushtet mbi të zgjedhurin”, u shpreh ai.
Ai theksoi se ndaj tij janë bërë kallëzime penale të përsëritura. “Sot më kanë bërë kallëzimin e tretë penal. Unë nuk do djeg e thyej zyrat e shtetit tim, por do rezistoj”, deklaroi Lapaj.