Berisha nga SPAK: Arrestimi i Maduros lidhet me farsën elektorale, njësoj si në Shqipëri

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar arrestimin e presidentit venezuelian Nicolás Maduro, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me çështjen e zgjedhjeve dhe situatën politike në Shqipëri.

Berisha u shpreh për mediat pas paraqitjes së tij në SPAK, ku ishte thirrur në zbatim të masës “Detyrim paraqitje”.

“Nëse flet për votë, Edi Rama zhvillon farsë elektorale njësoj si Maduro. Një nga shkaqet që Maduro u arrestua ishte fakti që ai nuk zhvillon zgjedhje”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se, sipas tij, edhe në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira. “Edi Rama nuk zhvillon zgjedhje, zhvillon farsë elektorale”, u shpreh kreu i PD-së, duke përmendur edhe qëndrime të institucioneve evropiane mbi proceset zgjedhore në vend.

Berisha sqaroi se përshëndetja e tij për arrestimin e Maduros ishte simbolike dhe politike. “E kam përshëndetur arrestimin e Maduros si një fitore për njerëzit e lirë në Shqipëri dhe në botë. Nuk kam thënë që forcat Delta do të arrestojnë Edi Ramën”, tha ai.

Në deklaratën e tij, Berisha bëri krahasime me përmbysjen e regjimeve në vende të tjera. “Siç u përmbysën diktaturat në Bangladesh, në Nepal dhe në Sri Lanka, ashtu do të ndodhë edhe këtu”, deklaroi ai, duke shtuar se, sipas tij, “një diktator më pak është lehtësim për ne”.

Deklaratat e Berishës vijnë në një moment tensioni politik, ndërsa zhvillimet ndërkombëtare po përdoren nga aktorët politikë për të artikuluar qëndrimet e tyre mbi situatën e brendshme në vend.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033