Lehtësim për familjet, si funksionon kompensimi tatimor për prindërit nga marsi 2026

Familjet me fëmijë nën 18 vjeç do të përfitojnë nga një skemë e re kompensimi tatimor, e cila nis të zbatohet nga marsi 2026, gjatë deklarimit vjetor të të ardhurave.

Sipas ndryshimeve në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, prindërit do të kenë të drejtë të zbresin nga baza e tatueshme 48 000 lekë për çdo fëmijë në ngarkim, në momentin e plotësimit të Deklaratës Individuale të të Ardhurave për vitin fiskal 2025.

Kjo do të thotë se tatimi i paguar gjatë vitit do të rillogaritet dhe, nëse rezulton se është paguar më shumë se sa duhet, diferenca do t’u kthehet prindërve në formë rimbursimi.

Përveç kësaj, ligji lejon edhe zbritjen e shpenzimeve arsimore deri në 100 000 lekë në vit për familjet me të ardhura vjetore deri në 1,2 milionë lekë, me kusht që pagesat për shkollim dhe edukim të dokumentohen sipas kërkesave të administratës tatimore.

Në rastet kur prindërit janë të dy të punësuar, zbritja për fëmijët në ngarkim përfitohet nga prindi me të ardhurat më të larta. Përfitimi nuk përjashtohet as në rastet kur punësimi ka qenë i pjesshëm gjatë vitit.

Autoritetet këshillojnë që dokumentacioni i shpenzimeve arsimore të ruhet me kujdes dhe të përfshihet saktë në deklaratën vjetore, për të përfituar maksimalisht nga ky lehtësim tatimor.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033