Për më shumë se një javë, portali shtetëror e-Albania po shfaq probleme të përsëritura në ofrimin e shërbimeve, duke ndikuar drejtpërdrejt te qytetarët dhe komuniteti i biznesit. Edhe këtë të diel, përdoruesit raportojnë pamundësi për të aksesuar platformën dhe për të përfunduar procedura të nevojshme administrative.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të e-Albania theksohet se Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile po kryen mirëmbajtje dhe përmirësime të sistemit elektronik. Sipas sqarimit, këto procese mund të shkaktojnë ndërprerje të përkohshme ose ngadalësime në marrjen e të dhënave nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile.
Situata ka sjellë reagimin e Aleancës për Profesionistët e Lirë, e cila pesë ditë më parë ngriti shqetësimin se bizneset nuk janë në gjendje të marrin shërbime apo të kryejnë pagesa përmes platformave digjitale. Në qëndrimin e saj, Aleanca vë në dukje se ndërprerjet po krijojnë pasoja konkrete ligjore dhe financiare.
“Këto platforma janë sot infrastruktura bazë për regjistrime, deklarime, aplikime, pagesa dhe përmbushje detyrimesh ligjore. Ndërprerja e tyre, qoftë edhe e përkohshme, krijon pasiguri juridike, vonesa procedurale, rrezik penalitetesh dhe kosto shtesë për bizneset dhe profesionistët e lirë, të cilët varen pothuajse tërësisht nga shërbimet digjitale”, theksohet në reagim.
Aleanca nënvizon se problematika shtron nevojën për transparencë mbi shkaqet e ndërprerjeve, rritje të sigurisë dhe qëndrueshmërisë së sistemeve, si dhe aktivizimin e mekanizmave alternativë në raste mosfunksionimi. Po ashtu, kërkohet komunikim i qartë dhe në kohë me përdoruesit, për të shmangur pasigurinë dhe keqinterpretimet.
Ndërkohë, vështirësi janë konstatuar edhe për individët, përfshirë regjistrimin e fëmijëve të porsalindur, aplikimet për karta identiteti dhe rinovimet e pasaportave. Kjo situatë merr rëndësi të veçantë në fundvit, kur kthimi i emigrantëve në atdhe rrit ndjeshëm kërkesën për shërbime administrative dhe dokumentare.