SPAK dhe BKH kryejnë 19 kontrolle në kuadër të hetimeve për dosjen “Balluku”

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, ka zhvilluar 19 kontrolle në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen e njohur si “Balluku”, ku janë të përfshirë zyrtarë shtetërorë dhe subjekte private.

Kontrollet janë ushtruar në ambiente banimi dhe pune të disa punonjësve dhe ish-drejtuesve të institucioneve shtetërore, si Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, si dhe në dy kompani ndërtimi që kanë përfituar tendera nga këto institucione.

Sipas informacioneve zyrtare, aksioni është kryer ekskluzivisht nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, pa përfshirjen e punonjësve të Policisë së Shtetit, edhe në zona që bien në juridiksionin e komisariateve lokale. Kontrollet janë shtrirë jo vetëm ndaj drejtuesve të kompanive, por edhe ndaj familjarëve të tyre, në kuadër të verifikimeve të pasurive dhe dokumentacionit përkatës.

Mes personave, banesat e të cilëve janë kontrolluar, bëjnë pjesë Viola Haxhiademi, ish-sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtoreshë e KESH-it, Gentian Gjyli, ish-drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, aktualisht nën masën “arrest në shtëpi”, Erald Elezi, ish-drejtor i KESH-it, gjithashtu nën masë sigurie, si dhe Sajmir Kuçi, Marsel Hoxha dhe Jonida Çeço.

Kontrollet janë pjesë e vijimit të hetimeve për dosjen ku zyrtarja më e lartë nën hetim është zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Në këtë kuadër, SPAK i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit dhe dhënien e autorizimit për masa të mëtejshme procedurale, ndërsa hetimet vijojnë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033