**VR*SJA e 15-vjeçarit në Durrës / “Djali im s’kishte lidhje me sherrin” – Flet babai: Familja e autorit na tha se e bëri nga gjaknxehtësia! **

Adem Boba, babai i 15-vjeçarit E.B, që u vra me thikë pas një sherri të ndodhur mes adoleshentëve disa ditë më parë në Durrës, ka deklaruar se djali i tij nuk ka pasur asnjë konflikt dhe se është përfshirë rastësisht në ngjarje.

Në dëshminë e tij, ai tregoi se djali nuk kishte lidhje me konfliktin; vetëm kishte shoqëruar shokët e tij, pasi ata i kishin kërkuar t’i dërgonte me makinë për t’u sqaruar me disa persona të tjerë.

Gjithashtu, ai u shpreh se një grua e moshuar ka qenë dëshmitare okulare e ngjarjes.

“Do të tregoj aq sa di. Djali ka qenë duke shkuar për në punë. I kanë dalë disa shokë dhe i kanë thënë ‘na dërgo pak se kemi një muhabet për të sqaruar me disa të tjerë’. As nuk i ka njohur ata çunat. Dhe aty ka nisur konflikti, ku djali im ka mbetur më i dëmtuar. Nuk ka pasur lidhje me ngjarjen, por i ka çuar atje. I ka dërguar që të sqarohen dhe të ikte në punën e vet. Më ka ardhur e papritur. Nuk ka pasur asnjë konflikt. E kam marrë vesh nga një shok i djalit pasi ka ndodhur ngjarja.”

Babai thotë se djali është përfshirë vetëm për t’i ndarë të tjerët, por është goditur me thikë:

“Djali është në gjendje shumë të rëndë. Ai ka ndërhyrë për t’i ndarë, por ka marrë thika. Një grua, me sa kam dëgjuar, dëshmitare okulare, mund të dijë më shumë. Aty mund të kenë qenë 6-7 çuna, përfshirë të dyja palët.”

Sipas tij, prindërit e autorit të dyshuar kanë thënë se gjithçka ndodhi në “gjaknxehtësi”.

“Prindërit kanë thënë që ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër. Por dua të bëhet njëherë djali mirë dhe gjërat e tjera mund të sqarohen më pas. E kisha bërë edhe një marrëveshje që nëse shpëtonte çuni, do t’i falja… Por tani gjërat ndryshojnë, sepse as vetë nuk jam i sigurt se çfarë do ndodhë, por do ia lë kohës…”

Ai kërkon që ligji të veprojë:

“Pres të funksionojë ligji, dua çfarë parashikon Kushtetuta e Shqipërisë. Ne shkuam për një jetë më të mirë… Rrija me qira. Ndërsa vitet që kam qenë në Bulqizë, punoja në minierë.”

Ndaj Postimin: