Zbardhet ekzekutimi i Edmond Mëhallës dy autorë shpallen në kërkim, arrestohen roja i karburantit dhe një bashkëpunëtor

Policia e Elbasanit ka bërë të ditur se ka identifikuar dy autorët e dyshuar të vrasjes së biznesmenit Edmond Mëhalla, i cili u ekzekutua të dielën mbrëma me tre plumba ndërsa ndodhej brenda automjetit të tij Range Rover në afërsi të karburantit Xhaxhi Oil.

Sipas hetimeve, Marselo Arani dhe Armando Kola, të moshave 32 dhe 35 vjeç, janë personat që dyshohet se kryen atentatin dhe për ta është shpallur kërkimi. Njëri prej tyre ishte nën masën e sigurisë arrest në shtëpi për një tjetër çështje penale.

Në vijim të hetimeve janë arrestuar Xhino Ago, 32 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor, dhe roja i karburantit, Kujtim Pisha, 52 vjeç, i akuzuar për moskallëzim të krimit. Hetimi zbuloi se automjeti i përdorur nga autorët ishte në pronësi të Xhino Agos, i cili ua kishte dhënë me hua për përdorim Aranit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:35. Mëhalla kishte dalë nga zyra dhe ishte ulur në automjetin e tij kur një Audi i zi u pozicionua pranë Range Rover. Një prej autorëve zbriti nga automjeti, qëlloi disa herë me armë zjarri dhe u largua menjëherë së bashku me drejtuesin e mjetit në drejtim të aksit Elbasan Librazhd.

Gjatë veprimeve hetimore u gjet i djegur automjeti që u përdor në largim dhe arma e zjarrit e atentatit. Janë sekuestruar gjithashtu dokumente të shitblerjes së automjetit, tre celularë dhe dy pajisje DVR me pamje të rëndësishme për hetimin.

Mëhalla, i njohur edhe si Edmond Hyka, kishte precedentë penal për çështje narkotikësh dhe armëmbajtje pa leje. Ai jetonte në Tiranë por ushtronte aktivitet biznesi në Elbasan, përfshirë karburantin Xhaxhi Oil, shërbimin e taksive El Taxi dhe më herët një lokal nate.

Grupi hetimor i posaçëm, nën drejtimin e Prokurorisë, vazhdon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe për kapjen e dy autorëve të shpallur në kërkim.

Ndaj Postimin: