Futbollisti i Kombëtares Naser Aliji në Gjermani për operacion, mungesë e rëndësishme për Dinamon

Mbrojtësi i Kombëtares dhe i Dinamos, Naser Aliji, ka vendosur t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale për shkak të pubalgjisë që e ka shqetësuar prej kohësh. Ai pritet të udhëtojë sot drejt Gjermanisë, ku do të kryejë operacionin.

Aliji ka luajtur së fundmi si titullar me Shqipërinë në ndeshjen ndaj Anglisë, si edhe në kampionat me Dinamon, ku zhvilloi nëntëdhjetë minuta përballë Elbasanit, ndonëse i dëmtuar.

Pas ndërhyrjes, mbrojtësi do të mungojë për disa javë dhe me shumë gjasa do të rikthehet në fushë vetëm në muajin janar, pasi koha e rikuperimit nga një operacion i tillë shkon zakonisht deri në dy muaj.

Aliji konsiderohet një nga lojtarët më të rëndësishëm të Dinamos këtë sezon dhe sezonin e kaluar, ku ka luajtur si qendërmbrojtës së bashku me Bruno Ditën. Tani te Dinamo shpresojnë në rikthimin sa më të shpejtë të Ditës, në mënyrë që prapavija të plotësohet me Teikseirën, i cili në ndeshjet e fundit ka fituar vendin si titullar dhe ka bindur me paraqitjet e tij.

Ndaj Postimin: