Kryeministri Edi Rama ka zbuluar se është duke punuar për një libër të ri, të cilin e përshkruan si një përkushtim ndaj gjuhës shqipe dhe si një vazhdim i pasionit të tij për të shkruar.
Në episodin më të fundit të podcastit “Flasim”, Rama tha se vepra e ardhshme do të mbajë titullin “Fjalët e sofrës së iftarit” dhe do të jetë një projekt i lindur nga dashuria për shqipen.
“Po përgatis tani një libër me fjalët e sofrës së iftarit, thjesht për kënaqësinë e shqipes, jo për ndonjë arsye tjetër dhe për natyrisht dëshirën që t’i shoh në një libër disa gjëra që i kam shkruar me shumë dëshirë,” u shpreh Rama.
Ky do të jetë botimi i dytë i kreut të qeverisë, pas librit “Kurbani”, i publikuar në vitin 2011, menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës. Në atë vepër, Rama trajtonte përplasjet e tij politike dhe vizionin për modernizimin e kryeqytetit në raport me qeverisjen e kohës.
Në podcast, Rama foli gjithashtu për pasionin e tij për gjuhën shqipe, duke e quajtur veten “një dashnor të përkushtuar” të saj. Ai rrëfeu se në takimet me shkrimtarin Ismail Kadare, pjesa që e tërhiqte më shumë ishin bisedat për gjuhën, duke vlerësuar mënyrën e jashtëzakonshme me të cilën Kadare e zotëronte shqipen dhe krahasimet që ai bënte me rusishten.
“Unë nuk kam mundësi të ulem të shkruaj siç kam bërë me ‘Kurbanin’. Tani më pëlqen të hedh copëza që lidhen me punën dhe me fjalimet. Po përgatis një libër për kënaqësinë e shqipes,” shtoi ai.
Libri “Fjalët e sofrës së iftarit” pritet të përfshijë reflektime personale, fragmente nga fjalimet e tij dhe shkrime mbi kulturën e gjuhës shqipe, duke sjellë një tjetër anë të njohur të Edi Ramës – atë të autorëve dhe artistëve që e shohin gjuhën si frymëzim dhe mjet komunikimi shpirtëror.


