Teksa në Komisionin e Ligjeve po diskutohej miratimi i buxhetit për vitin 2026, mes socialistëve ka pasur një debat.
Kryetari i këtij komisioni parlamentar, Ulsi Manja, është përplasur me deputeten e Fierit, Zegjine Çaushi, pasi shkak është bërë nënkryetari i Komisionit, Oerd Bylykbashi.
Manja propozoi 20 minuta pushim, në mënyrë që në mbledhje të ishte i pranishëm edhe Bylykbashi, ndërsa Çaushi tha se përfaqësuesi i opozitës nuk duhet pritur.
Kjo solli irritimin e Manjës, i cili theksoi se në grupin parlamentar ekziston hierarkia dhe se deputetja e re duhet të mësohet me të.
Debati:
Manja: Për projektligjin për komisionet hetimore do të propozoj 20 minuta pushim, meqenëse nënkryetari i Komisionit, Oerd Bylykbashi, ka kërkuar që në shqyrtimin e tij të jetë prezent për të mbajtur një qëndrim në emër të grupit parlamentar të PD.
Zegjine Çaushi: Pse duhet pritur?
Manja: Zegjine, grupi parlamentar ka hierarki. Kështu që mund të mësohesh me këtë lloj hierarkie, sepse është kërkesë që është dakordësuar që dje. Është një ligj që duhet të ketë edhe qëndrimin e tyre. Takohemi pas 20 minutash.


