Tragjike në Angli, kamioni i mbeturinave shtyp për vdekje 30-vjeçarin shqiptar, Sajmir Beça.
Sajmir Beça, një 30-vjeçar me origjinë nga fshati Novosej i Kukësit, ka ndërruar jetë tragjikisht në Britaninë e Madhe. Ai është shtypur nga një kamion plehrash, teksa ishte strukur në koshat e mbeturinave për të kaluar të ftohtin.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në Rrugën Wellington në qendër të qytetit Northampton, në orët e para të së premtes, më 31 tetor.
Fqinjët u zgjuan nga britmat që vinin nga kamioni, përpara se ambulancat dhe policia të mbërrinin në vendngjarje rreth orës 3 të mëngjesit. Fatkeqësisht, Sajmiri vdiq më vonë nga plagët e marra në Spitalin Universitar të Coventryt, më 6 nëntor.
Mjekja e lartë ligjore Anne Pember tha se i riu i pastrehë vdiq nga dështimi i shumëfishtë i organeve, si pasojë e lëndimeve të shumta shtypëse në legen dhe gjymtyrët e poshtme. Trupi i tij i është kthyer familjes dhe është mbajtur një funeral.
Mësohet se trupi i Sajmir Beçës është kthyer në Shqipëri dhe familja ka vendosur që 30-vjeçari të prehet në fshatin e tij të lindjes, në Novosej të Kukësit. Varrimi është bërë në datën 16 nëntor, ndërsa Sajmiri la pas dy prindërit dhe një vëlla.
Sajmir Beça u plagos ndërsa flinte në një kosh mbeturinash në Rrugën Wellington rreth orës 3 të mëngjesit të 31 tetorit. I riu nuk jetonte në Northampton, por në një zonë tjetër, dhe natën kur ndërroi jetë sapo kishte shkuar në këtë qytet. Duke mos gjetur askënd ku të qëndronte, ai vendosi të flinte në koshin e mbeturinave.
Një mikeshë e Sajmirit ka thënë se ai nuk flinte rregullisht në rrugë, sepse ishte një djalë shumë punëtor, por atë mbrëmje nuk kishte gjetur askënd. Sipas saj, ai kishte telefonuar shumë persona, por askush nuk kishte pranuar ta strehonte.
“Na vjen vërtet keq dhe duam që ai të mbahet mend për mënyrën se si ishte, jo për mënyrën se si vdiq”, ka thënë ajo gjatë homazheve në Angli.
“Ai ishte një njeri i shkëlqyer, një djalë shumë punëtor. Ndihem shumë e trishtuar. Im shoq nuk mund të ndalonte së qari, sepse mendonte pse nuk u përpoq ta telefononte. Ai i telefonoi të gjithë këta njerëz të tjerë, por jo atë vetë. Do t’i thosha të vinte të flinte në shtëpinë tonë, por ndoshta ai ndihej i turpëruar”, ka treguar ajo.
Veolia, kompania që menaxhon koshat komercialë në qytet, është shprehur se ishte “thellësisht e trishtuar” nga incidenti, ndërsa Policia e Northamptonshire njoftoi se nuk ka rrethana të dyshimta rreth vdekjes së Sajmir Beçës.


