Vlorë: Punonjësit e fasonerisë në protestë për pagat dhe sigurimet e papaguara

Prej pesë ditësh radhazi, rreth 250 punonjës të një fasonerie në Vlorë kanë dalë në protestë, duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës dhe përmbushjen e të drejtave të tyre ligjore.

Punonjësit denoncojnë vonesa në pagesat e sigurimeve shoqërore dhe pagave, duke kërkuar ndërhyrjen urgjente të autoriteteve.

Protestuesit janë të shqetësuar për mosrespektimin e kontratave dhe mospagesën e sigurimeve për muaj të tërë. Një punonjëse e revoltuar thekson se situata është bërë e papërballueshme: “Duam punë këtu. Nuk duam të ikim në Nartë. Kemi halle, kemi pleq në shtëpi dhe nuk mundemi të shkojmë larg. Kërkojmë të paguhemi dhe të na trajtojnë me dinjitet.”

Punonjësit kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe janë të vendosur të vazhdojnë protestën deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Një tjetër protestuese deklaron: “Dy vite që punoj këtu dhe prej 8 muajsh nuk na paguajnë siguracionet. Na gënjejnë vazhdimisht. Duam që institucionet të ndërhyjnë dhe të marrim atë që na takon.”

Një tjetër shqetësim qëndron te pagat, të cilat sipas punonjësve janë të pamjaftueshme dhe shpesh nuk shpërndahen plotësisht. “Rroga minimale është 400 mijë lekë, por motra ime ka marrë vetëm 250 mijë në bankë,” shprehet një protestues tjetër, duke denoncuar keqmenaxhimin dhe shkeljet e kontratave.

Protestuesit theksojnë se nuk kanë marrë as leje të paguara, një tjetër e drejtë që u është mohuar. Ata bëjnë thirrje për veprime konkrete nga institucionet përgjegjëse, duke nënvizuar se kërkesat e tyre janë të drejta dhe në përputhje me ligjin.

Përtej shqetësimeve individuale, ata kërkojnë që kjo situatë të marrë fund për të gjithë punonjësit e fasonerive në vend, duke paralajmëruar përshkallëzimin e protestave nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen. “Ne kërkojmë vetëm atë që na takon. Duam siguracione, duam pagat e plota dhe të respektohet puna jonë,” përfundon një tjetër protestuese.

Në këtë situatë të tensionuar, mbetet për t’u parë nëse institucionet do të ndërhyjnë për të zgjidhur këtë ngërç social dhe për të siguruar që punonjësit të marrin trajtimin e duhur.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera