Një bandë kriminale me anëtarë shqiptarë dhe marokenë u godit në Belgjikë pasi trafikonte kokainë nga Kolumbia drejt Gentit dhe e përpunonte në laboratorë të fshehtë.
Autoritetet belge kanë finalizuar një hetim të gjatë që çoi në shkatërrimin e një strukture kriminale të përbërë nga shqiptarë dhe marokenë, e specializuar në trafikun ndërkombëtar të kokainës. 18 persona u shpallën fajtorë dhe u dënuan me burgime që shkojnë deri në 7 vite, së bashku me gjoba të konsiderueshme financiare.
Grupi transportonte kokainën nga Kolumbia drejt portit të Gentit, e maskuar brenda paketimeve të kartonit. Droga përpunohej më pas në një laborator të organizuar në qytetin Bree, ku transformohej në sasi të mëdha për tregun evropian.
Policia gjurmonte rrjetin prej dy vitesh. Hetimi nisi kur në zonën e Ringvaart u vërejt një varkë e dyshimtë pranë një anijeje të ardhur nga Kolumbia. Ky moment shërbeu si pika e parë e zhbërjes së zinxhirit kriminal.
Disa javë më vonë, kamerat ANPR kapën një varkë tjetër dhe një automjet të lidhur me persona të njohur për aktivitet narkotik. Ky detaj e orientoi hetimin drejt lokacioneve të magazinimit dhe përpunimit të drogës.
Në nëntor, policia kreu bastisje të koordinuara në Limburg dhe Bree. Aty u zbulua një laborator aktiv ku dy shtetas kolumbianë përgatitnin kokainën për treg. Laboratori ishte i pajisur me teknologji për nxjerrjen dhe tharjen e substancës nga pakot e kartonit.
“Kokaina ishte e fshehur në kuti kartoni dhe përdorej si maskim për ngarkesat,” deklaroi për mediat Patrick Willocx nga Policia Federale Gjyqësore, duke theksuar nivelin e sofistikimit të rrjetit.
Gjatë operacionit u sekuestruan substanca kimike, telefona, pasaporta, para cash, orë të shtrenjta dhe një kovë me rreth 7 kilogramë kokainë të lagur. Autoritetet gjetën edhe dhjetëra kuti kartoni të gatshme për procesim të mëtejshëm.
Nga hetimet u arrit të dokumentohej ndarja e qartë e roleve brenda grupit. Dega kolumbiane merrej me prodhimin e drogës. Dega belge siguronte infrastrukturën dhe laboratorët. Ndërsa krahu shqiptar-maroken koordinonte zinxhirin e furnizimit, transportin dhe shpërndarjen në tregjet e Europës Perëndimore.
Dënimet ndryshuan sipas rolit dhe përgjegjësisë së secilit anëtar, për të reflektuar përfshirjen në këtë trafik ndërkombëtar që synonte përfitime të mëdha nga tregtia e kokainës.
Në vijim, autoritetet belge paralajmëruan se hetimet mund të shtrihen edhe në vende të tjera, pasi rrjeti dyshohet se kishte lidhje të gjera në Europë dhe Amerikën Latine.


