Planet e reja për menaxhimin e mbetjeve

Qeveria planifikon zgjerimin e infrastrukturës së mbetjeve në Fier dhe Elbasan me projekte të reja landfilli që kapin vlerën mbi 15 milionë euro.

Qeveria ka nisur procedurat për projekte të reja në fushën e menaxhimit të mbetjeve në rajonet e Fierit dhe Elbasanit, dy zona ku më herët u ngritën inceneratorët që sot janë në qendër të debatit publik dhe hetimeve. Këtë herë, fokusi është te zgjerimi i landfill-eve dhe krijimi i impianteve ricikluese, për të përmirësuar trajtimin e mbetjeve dhe për të reduktuar ngarkesën mjedisore.

Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka hapur një procedurë prokurimi me fond limit rreth 66 milionë lekë, rreth 660 mijë euro, për dy lote që lidhen me hartimin dhe projektimin e investimeve. Në dokumentet teknike detajohen qartë objektivat dhe standardet që duhet të respektohen.

Për zonën e Fierit, termat e referencës parashikojnë zgjerimin e landfillit ekzistues, ndërtimin e impianteve për mbetje inerte, mbylljen dhe kapsulimin e landfill-eve të vjetër, ngritjen e qendrave të rikuperimit të materialeve dhe ndërtimin e një landfilli të ri për mbetje të riciklueshme dhe industriale. Kostoja e parashikuar për këto ndërhyrje llogaritet rreth 7.4 milionë euro.

Në zonën e Elbasanit parashikohet një projekt i ngjashëm, por me investim më të lartë. Dokumentet financiare flasin për një vlerë ndërtimi prej mbi 8 milionë euro pa TVSH, që e çon koston përfundimtare mbi 9 milionë euro me TVSH. Edhe këtu synohet modernizimi i strukturës së menaxhimit të mbetjeve dhe reduktimi i ngarkesës së landfillit ekzistues.

Të dy projektet janë në fazën fillestare të përgatitjes teknike dhe do të kalojnë procesin e oponencës inxhinierike përpara se të miratohen përfundimisht. Vetëm pas kësaj faze do të mund të nisë tenderimi për kompanitë që do të marrin përsipër punimet.

Menaxhimi i mbetjeve në Shqipëri ka kaluar faza të ndryshme në vite, ku herë është mbështetur incenerimi dhe herë mbajtja e mbetjeve në landfille. Ekspertët theksojnë se të dyja proceset mund të bashkëjetojnë nëse përdoren në mënyrë të balancuar dhe nëse mbetjet selektohen që në burim.

Qëllimi final është që mbetjet që nuk mund të riciklohen të shkojnë drejt incenerimit, ndërsa pjesa tjetër të shpërndahet në impiante riciklimi dhe në landfille të posaçme, duke ulur ndjeshëm volumin e depozituar në mjedis.

Pavarësisht planeve të reja, opinioni publik mbetet i ndjeshëm për shkak të historisë së projekteve të inceneratorëve dhe kërkon më shumë transparencë, kontroll dhe raportim të qartë mbi koston dhe efektet reale të investimeve. Qeveria pritet të publikojë detaje të mëtejshme pasi të përfundojë faza teknike e projektimit.

Ndaj Postimin: