Dy të arrestuar për grabitjen spektakolare në muzeun e Louvre në Paris

Policia franceze arreston dy të dyshuar për vjedhjen 88 milionë euro nga koleksioni i bizhuterive mbretërore në Louvre, teksa tentonin të arratiseshin jashtë vendit.

Dy burra me precedentë penalë për grabitje janë arrestuar nga brigada kundër banditizmit në Paris dhe zyra qendrore kundër trafikut të veprave kulturore, në kuadër të hetimeve për vjedhjen e bujshme në muzeun e Louvre.

Sipas Le Parisien, të dy të dyshuarit janë nga Seine-Saint-Denis, në periferinë verilindore të Parisit, dhe dyshohet se janë pjesë e një bande prej katër personash që sulmuan mëngjesin e së dielës. Ata përdorën një ashensor shërbimi për t’u futur në galerinë “Apollo”, ku thyen dy vitrina dhe rrëmbyen bizhuteri të kurorës franceze me vlerë 88 milionë euro, përpara se të largoheshin me dy motoçikleta.

Operacioni i arrestimit u zhvillua me urgjencë pasi policia mori informacion se njëri prej të dyshuarve po përgatitej të largohej jashtë Francës, drejt Algjerisë. Ai u ndalua në aeroportin Charles de Gaulle pak para se të hipte në avion. Pak orë më vonë, i dyshuari i dytë u arrestua në rajonin e Parisit. Sipas Paris Match, ai ishte duke u përgatitur të udhëtonte drejt Malit.

Hetuesit dyshojnë se grabitja mund të jetë porositur nga rrjete të specializuara tregtarësh ilegalë të artit. Të dy burrat konsiderohen hajdutë profesionistë, dhe ndodhen nën hetim me masë sigurie që mund të zgjasë deri në 96 orë, ndërsa policia po përpiqet të identifikojë dy bashkëpunëtorët e tjerë.

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, kritikoi publikimin e detajeve të hetimit nga burime jozyrtare, duke deklaruar se “kjo sjellje dëmton përpjekjet e policisë për rikuperimin e bizhuterive dhe identifikimin e plotë të autorëve”. Ajo paralajmëroi se ende është herët për të dhënë informacione të hollësishme.

Një pistë e re hetimore lidhet me mundësinë që një anëtar i stafit të sigurisë së muzeut të ketë ndihmuar bandën gjatë grabitjes. Sipas The Telegraph, burime pranë hetimit kanë ngritur dyshime për bashkëpunim të brendshëm, çka mund ta shpjegojë qasjen e shpejtë të autorëve në zonat e mbrojtura të muzeut.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet franceze po bashkëpunojnë me agjencitë ndërkombëtare për të gjurmuar bizhuteritë e humbura, një dëm që për historinë e artit francez konsiderohet i paçmuar.

Ndaj Postimin: