Pas përfundimit të ndeshjes 2-1 për Realin, Carvajal dhe Vinicius u përplasën me Lamine Yamal, duke shkaktuar një përleshje masive mes lojtarëve të Real Madrid dhe Barcelonës.
“El Clásico” përfundoi në mënyrë të tensionuar, teksa disa lojtarë të Real Madrid iu drejtuan menjëherë Lamine Yamal sapo arbitri Soto Grado vuri bilbilin e fundit. I pari që reagoi ishte Dani Carvajal, i cili, ndonëse shok skuadre me Lamine në kombëtaren spanjolle, e qortoi ashpër për komentet e tij para ndeshjes mbi “vjedhjet” dhe ankesat e Madridit.
Carvajal, i irrituar, i kërkoi Yamalit të fliste ballë për ballë, duke i bërë shenjë me dorën e djathtë. Në debat iu bashkua menjëherë Courtois, ndërsa pak sekonda më vonë situata doli jashtë kontrollit dhe u shndërrua në një përplasje mes futbollistëve të të dyja ekipeve.
Lojtarët e Barcelonës u hodhën për të mbrojtur bashkëlojtarin e tyre, ndërsa nga ana tjetër, disa futbollistë të Realit vazhduan me tone të larta, duke akuzuar Lamine për mungesë respekti. Përplasja zgjati disa minuta, por falë ndërhyrjes së zyrtarëve të ndeshjes, nuk mori përmasa më të mëdha.
Kur dukej se gjithçka po qetësohej, Vinicius Jr ndezi përsëri tensionin. Ai bërtiti drejt Lamine Yamal nga distanca, duke provokuar një tjetër moment përplasjeje. Në skenë u përfshinë edhe lojtarë që nuk ishin të grumbulluar, si Rüdiger, Alaba dhe Raphinha.
Sipas mediave spanjolle, ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në të dy kampet. Real Madrid e konsideron sjelljen e Lamine si provokuese, ndërsa Barcelona e sheh reagimin e lojtarëve të Realit si të tepruar dhe jashtë çdo norme sportive.
Në raportin përfundimtar të ndeshjes, arbitri kryesor ka shënuar se konflikti pas fishkëllimës finale solli dënime të shumta për lojtarët e të dyja skuadrave. Ai nuk ka përmendur fjalët apo ofendimet e përdorura, por ka sqaruar qartë se çfarë veprimesh sollën ndëshkimet.
Sipas dokumentit, kartonët e verdhë janë dhënë për gjashtë lojtarë. Militao dhe Rodrigo u ndëshkuan sepse, ndonëse ndeshja kishte mbaruar, ata u përballën me kundërshtarët në fushë, pa përdorur fyerje apo kërcënime. Vinicius dhe Balde morën karton të verdhë për të njëjtin veprim, por nga stoli i rezervave.
Ndërkohë, Fermin Lopez u ndëshkua për shtyrje të një kundërshtari, çka u konsiderua si shkak për përshkallëzimin e konfliktit. Ferran Torres mori gjithashtu të verdhë për përballje me një kundërshtar pas ndeshjes, duke shfaqur qëndrim provokues në terren.
I vetmi karton i kuq i ndeshjes iu dha portierit Lunin. Sipas arbitrit, ai braktisi stolin e tij dhe iu afrua atij të Barcelonës me sjellje agresive, por u ndalua në kohë nga bashkëlojtarët përpara se situata të përkeqësohej më tej.
Federata Spanjolle pritet të analizojë raportin e arbitrave dhe mund të hapë një hetim për incidentin, i cili mund të çojë në ndëshkime disiplinore për disa prej protagonistëve. Tensionet e “El Clásico”-s treguan se rivaliteti mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll është ende po aq i nxehtë sa gjithmonë.


