Trumpi paralajmëron ndalimin e ndihmës për Argjentinën nëse nuk ndjek vijën amerikane

Donald Trumpi kërcënoi ndalimin e ndihmës financiare për Argjentinën nëse qeveria e Javier Mileit humbet zgjedhjet e mesmandatit dhe vendi largohet nga linja politike e Uashingtonit.

Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh të martën se Shtetet e Bashkuara do të ndërpresin ndihmën ndaj Argjentinës nëse politika e brendshme e vendit nuk përputhet me interesat amerikane. Deklarata u dha gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me presidentin argjentinas Javier Milei, i cili përballet me zgjedhjet e mesmandatit në fund të muajit.

Trump e përshkroi kundërshtarin e Mileit si “ekstremisht majtist”, duke e fajësuar për krizën ekonomike të vendit. Ai paralajmëroi se Uashingtoni “nuk do të humbasë kohë” me një qeveri që nuk ndan të njëjtat vlera ekonomike. “Nëse ai humbet, ne nuk do të jemi bujarë me Argjentinën,” tha Trump gjatë një dreke pune me Milein.

Ai theksoi se ndihma prej 20 miliardë dollarësh për Buenos Aires nuk ishte “shpëtim financiar”, por një mbështetje për “një filozofi të drejtë që mund ta bëjë një komb të madh.” Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, u shpreh se administrata pret që koalicioni i Mileit të dalë mirë në zgjedhje dhe të vazhdojë reformat.

Në takim, Trump e quajti Milein “MAGA deri në fund,” duke e lidhur sloganin e tij “Make America Great Again” me versionin e ri “Make Argentina Great Again.” Milei, nga ana e tij, lavdëroi Trumpin për “udhëheqjen e tij të madhe” dhe tha se dëshiron ta kthejë Argjentinën në “një shembull të lirisë dhe prosperitetit.”

Takimi u përqendrua edhe në aspektet ekonomike. Argjentina kërkon përjashtime doganore për produktet e saj dhe zbatimin e një marrëveshjeje për shkëmbim valutor me vlerë 20 miliardë dollarë, që do të forcojë peson dhe rezervat valutore përpara zgjedhjeve. Pas humbjeve të fundit në zgjedhjet lokale, Milei përballet me krizë besimi për shkak të papunësisë, rritjes së korrupsionit dhe rënies ekonomike.

Trump ndërhyri në tregun valutor argjentinas duke premtuar ndihmën prej 20 miliardë dollarësh, që u prit pozitivisht nga tregjet financiare. Ministri i Ekonomisë, Luis Caputo, zhvilloi më pas negociata në Uashington për finalizimin e marrëveshjes, e cila u zyrtarizua nga Bessent. Ai konfirmoi se SHBA do të lejojë konvertimin e pesos me dollarë dhe ka blerë një sasi të paidentifikuar pesos.

Kritikët në SHBA e quajtën ndihmën “shpërblim për aleatët politikë,” sidomos në një moment kur qeveria amerikane po përballet me mbyllje buxhetore dhe pushime nga puna. Megjithatë, për Argjentinën, kjo ndërhyrje erdhi në momentin e duhur për të shmangur një zhvlerësim të menjëhershëm të pesos.

Ekspertët paralajmërojnë se nëse peso humbet vlerë, inflacioni do të rikthehet me forcë. Analisti politik Marcelo J. García e quajti vizitën e Mileit “një përpjekje dëshpëruese për të shmangur kolapsin ekonomik.”

Një tjetër temë e rëndësishme e takimit ishte projekti “Stargate”, një iniciativë për ndërtimin e qendrave të mëdha të inteligjencës artificiale në Amerikën Latine. Projekti, që mbështetet nga OpenAI, Oracle dhe SoftBank, mund ta vendosë Argjentinën në qendër të zhvillimit teknologjik të rajonit. OpenAI njoftoi se qendrat do të funksionojnë me energji të pastër përmes bashkëpunimit me kompaninë Sur Energy.

Gjatë vizitës, Milei mori pjesë edhe në një ceremoni për nder të aktivistit konservator Charlie Kirk, i vrarë muajin e kaluar, me të cilin kishte bashkëpunuar në disa ngjarje ndërkombëtare.

Megjithatë, mbetet e paqartë se si Argjentina do të shlyejë këtë borxh të ri 20 miliardë dollarësh, i cili i shtohet një kredie të mëparshme prej 40 miliardë dollarësh nga FMN. Sipas ish-zyrtarit të Thesarit amerikan, Brad Setser, “ndihma mund të jetë vetëm një urë afatshkurtër që nuk e ndihmon Argjentinën të përballet me problemet strukturore.”

Ndaj Postimin: