Arrestimi i shqiptarit të dyshuar për mbështetje të ISIS në SHBA

Autoritetet amerikane njoftuan të premten arrestimin e shqiptaro-amerikanit Erald Alimehmeti, 33 vjeç, në New York, me akuza të rënda për përpjekje për të mbështetur organizatën terroriste të Shtetit Islamik (ISIS).

Alimehmeti u paraqit në gjykatën federale para gjyqtarit Stewart Aaron, i cili urdhëroi mbajtjen e tij në paraburgim.

Sipas deklaratës së FBI-së, Alimehmeti dyshohet se ka përdorur internetin për të rekrutuar dhe trajnuar individë me pikëpamje të ngjashme, duke shpërndarë gjithashtu udhëzime për prodhimin e eksplozivëve me qëllim kryerjen e sulmeve terroriste. Agjenti i FBI-së në New York, James E. Dennehy, theksoi se aktivitetet e tij përbënin një rrezik të madh për sigurinë publike.

Në një deklaratë zyrtare të Prokurorisë së Distriktit Jugor të Nju Jorkut, Damian Williams bëri të ditur se Alimehmeti, shtetas amerikan dhe shqiptar, jetonte në Bronx para se të zhvendosej në Shqipëri në vitin 2014. Autoritetet shqiptare e kanë arrestuar dhe dënuar atë dy herë për armëmbajtje pa leje dhe për sulm fizik gjatë viteve 2015-2022.

Në dokumentet e gjykatës thuhet se gjatë viteve 2019-2020, ai publikonte në mënyrë të përsëritur përmbajtje në mbështetje të ISIS-it në rrjetet sociale, duke lavdëruar udhëheqës të grupit dhe duke përhapur propagandë, përfshirë video ku ai deklaronte se “Shteti Islamik në Afrikë po vret kryqtarët, forcat speciale franceze dhe ato amerikane”.

Prokuroria ka ngritur dy akuza të rënda ndaj Alimehmetit: tentativa për të ofruar mbështetje materiale për një organizatë terroriste dhe shpërndarja e informacionit mbi eksplozivët dhe armët e shkatërrimit në masë. Secila prej këtyre akuzave parashikon një dënim maksimal prej 20 vjet burgim.

Prokurori federal Damian Williams vlerësoi bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare dhe australiane në hetimet për këtë rast, duke theksuar rëndësinë e koordinimit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit.

Arrestimi i Alimehmetit ka tërhequr vëmendjen e gjerë, duke nënvizuar sfidat globale në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe përpjekjet për të siguruar drejtësinë në rastet që lidhen me sigurinë ndërkombëtare.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera