Scott Parker mbron Brojën pas kritikave të fundit

Armando Broja u kritikua ashpër pas eliminimit të Burnley ndaj Cardiff City, por trajneri Scott Parker kërkoi durim dhe theksoi se sulmuesit i duhet ende kohë.

Armando Broja po kalon një periudhë aspak të lehtë në futbollin anglez. Pas ndeshjes kundër Cardiff City, ku Burnley u eliminua nga Kupa e Ligës, mediat britanike vënë në shënjestër sulmuesin kuqezi, duke i kritikuar ashpër paraqitjet e tij. Kritikat u përqendruan sidomos tek fakti që lojtari nuk arriti të ndikojë në rezultat dhe shpesh dukej jashtë forme.

Përballë kësaj situate të vështirë, trajneri Scott Parker ka zgjedhur të marrë në mbrojtje 24-vjeçarin. Në një prononcim për mediat, ai theksoi se lojtari ka nevojë për kohë dhe për më shumë minuta në fushë. “Duhet të tregojmë qetësi dhe durim me Armandon. Ai nuk ka luajtur rregullisht vitet e fundit dhe kjo ka ndikim. Të gjithë duhet të kemi durim sepse ai është ende në një proces pune,” tha Parker.

Tekniku theksoi se Broja kishte treguar përmirësime në krahasim me debutimin e tij në Carabao Cup kundër Derby County. Sipas tij, edhe pse kundër Cardiff City sulmuesi nuk arriti të shkëlqejë, kishte elementë pozitivë në lojën e tij që duhen marrë në konsideratë.

Në atë sfidë, Broja qëndroi në fushë për 78 minuta, por nuk arriti të linte gjurmë të dukshme. Performanca e tij u cilësua nën nivelin e pritur, duke ngritur dyshime për gjendjen fizike dhe mungesën e ritmit.

Megjithatë, Parker mbetet i bindur se ajo që i nevojitet më shumë sulmuesit është koha e lojës. Vetëm duke marrë minuta të rregullta, ai mund të rikthejë formën optimale dhe të rikuperojë besimin.

Broja, i cili shihet si një aset i rëndësishëm për Burnley dhe për kombëtaren shqiptare, ka ende hapësirë për të treguar potencialin e tij, me kusht që të punojë fort dhe të marrë mbështetjen e duhur.

Ky mesazh i teknikut Parker shihet si një shenjë besimi ndaj sulmuesit, në një moment kur kritikat mund të rëndojnë edhe më shumë mbi të. Ai synon ta mbrojë lojtarin nga presioni i jashtëm dhe t’i japë kohën që i duhet për t’u rikthyer në formë.

Ndaj Postimin: