Ekonomia zhvendoset drejt Tiranës dhe Durrësit, qarqet e tjera në rënie të lirë

Përqendrimi i popullsisë dhe bizneseve në Tiranë-Durrës po thellon pabarazitë rajonale, duke tkurrur ekonominë në qarqet e tjera dhe duke rritur presionin mbi shërbimet publike.

Ekonomia shqiptare po përjeton një transformim të shpejtë territorial, ku Tirana dhe Durrësi po marrin gjithnjë e më shumë peshë, ndërsa shumica e qarqeve të tjera po përballen me rënie të bizneseve dhe popullsisë.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2024 bizneset e tregtisë ranë në të gjitha qarqet përveç Tiranës dhe Durrësit, të cilat shënuan rritje respektive prej 2.6% dhe 2.1%. Ky zhvillim pasqyron jo vetëm përqendrimin e konsumit, por edhe zhvendosjen e sipërmarrjes drejt zonave me mundësi më të mëdha tregu.

Ndërkohë, qarqet e veriut si Dibra, Kukësi dhe Lezha panë tkurrje të ndjeshme të bizneseve tregtare, të lidhur ngushtë me emigracionin masiv dhe plakjen e popullsisë. Në Gjirokastër dhe Vlorë, largimi drejt Greqisë dhe vendeve të tjera vijon të ndikojë në rënien ekonomike.

Edhe sektori i turizmit, megjithëse ka qenë një nga motorët e ekonomisë vitet e fundit, nuk ka sjellë rritje të dukshme të numrit të hoteleve dhe restoranteve. Në vitin 2024, numri i njësive akomoduese dhe ushqimore ra me 0.5% në nivel kombëtar, me ulje të theksuara në Elbasan, Korçë dhe Kukës.

Rritje të lehta në këtë sektor u regjistruan vetëm në disa qarqe turistike si Vlora (+1.6%), Shkodra (+2.4%) dhe Gjirokastra (+4%). Tirana mbetet kryeqendra me mbi 6,200 struktura, ndërsa Durrësi, pavarësisht fluksit të vizitorëve, nuk shënoi zgjerim të këtij segmenti.

Industria përpunuese gjithashtu po kalon momente të vështira. Ndërsa agroindustria ka ruajtur një rritje modeste, fasoneria dhe përpunimi i këpucëve e tekstileve kanë pësuar rënie, kryesisht për shkak të dobësimit të Euros dhe kostove të larta të prodhimit.

Shkodra dhe Fieri shënuan rritje të lehtë të bizneseve industriale, ndërsa Gjirokastra, Kukësi dhe Lezha pësuan ulje me rreth 3.5%. Tirana, megjithëse ka numrin më të madh të bizneseve industriale, humbi disa njësi për shkak të falimenteve të kontraktorëve.

Sektori i ndërtimit është i vetmi që ka shënuar rritje të fortë në të gjitha qarqet, përveç Shkodrës. Tirana mban mbi gjysmën e bizneseve të ndërtimit në vend, ndërsa Vlora, Elbasani dhe Lezha kanë përfituar nga investimet turistike dhe rezidenciale.

Shkodra, përkundrazi, humbi gjashtë kompani ndërtimi, çka pasqyron mungesën e investimeve të reja dhe tkurrjen demografike. Në qarqet më të vogla, rritja ka qenë modeste për shkak të mungesës së projekteve të mëdha dhe fuqisë punëtore.

Bizneset e mëdha me mbi 50 punonjës kanë pësuar rënie shqetësuese në disa qarqe. Elbasani humbi 21% të këtyre ndërmarrjeve, ndërsa Lezha, Dibra, Kukësi dhe Gjirokastra panë rënie nga 4% në 14%. Tirana humbi 13 kompani të tilla, kryesisht në sektorin e tekstilit dhe ushqimit.

Faktorët kryesorë të kësaj rënieje janë dobësimi i Euros, emigracioni i moshave të reja dhe kostot e larta të prodhimit. Mbyllja e këtyre bizneseve mund të ketë shkaktuar humbjen e rreth 2,500 vendeve pune në shkallë kombëtare.

Në disa qarqe veriore e lindore, largimi i të rinjve ka boshatisur bazën e punëtorëve, duke detyruar kompanitë të rrisin pagat për të ruajtur stafin dhe duke shkaktuar vonesa në realizimin e porosive.

Kjo panoramë tregon qartë një Shqipëri me zhvillim të pabalancuar, ku përfitimet ekonomike po përqendrohen në një rajon të ngushtë metropolitano-bregdetar, ndërsa pjesa tjetër e vendit përballet me sfida të rënda demografike dhe ekonomike.

Ekspertët paralajmërojnë se pa politika të forta për zhvillim të balancuar dhe investime në infrastrukturë, hendeku mes Tiranës-Durrësit dhe qarqeve të tjera do të vijojë të thellohet.

Ndaj Postimin: