Në zemër të Dimalit, panairi tradicional solli dy netë plot me muzikë, art dhe produkte lokale, duke promovuar trashëgiminë e pasur të zonës.
Në sheshin kryesor të Bashkisë Dimal, qyteti u gjallërua me dy netë radhazi më 21 dhe 22 korrik, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi. Performancat artistike të këngëtarëve të njohur dhe të rinjve që sollën muzikë tradicionale e moderne mbushën ajrin me emocione. Ekspozita e pikturave zbuloi shpirtin krijues të komunitetit dimalas, ndërsa panairi i produkteve bujqësore dhe blegtorale, bashkë me gatimet tradicionale, i dhanë ngjyrë këtyre mbrëmjeve festive.
Dy netët e panairit u pasuruan nga grupi folklorik, i cili me interpretimet e tij promovoi muzikën tradicionale dhe improvizimet humoristike të lojrave popullore. Kjo krijoi një atmosferë të veçantë në mes të stendave të panairit tradicional, duke sjellë gëzim dhe harmoni për vizitorët.
Në panair u ekspozuan edhe punime artizanale që pasqyrojnë historinë dhe traditën e zonës. Mjeshtrat e zonës prezantuan tekstile, punime dore dhe objekte me vlerë kulturore, duke ruajtur gjuhën e trashëgimisë lokale.
Gjatë dy netëve, arti u bashkua me traditën përmes pikturave, modeleve të ndryshme dhe veshjeve popullore të ekspozuara nga promotoret e shumtë. Këto aktivitete sollën aroma, shije dhe kujtime që lidhen ngushtë me historinë e brezave.
Rinia e Dimalit u shfaq me talent dhe pasion në skenë, duke treguar se trashëgimia kulturore nuk është thjesht një festival, por një mundësi për të shprehur kreativitetin dhe dashurinë për artin tradicional.
Panairi dyditor i produkteve tradicionale në zemër të Dimalit u kthye në një festë të vërtetë të kulturës dhe artit, duke lidhur qytetarët me rrënjët e tyre të thella. Ky projekt u mbështet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Kamera TV Apollon ndoqi nga afër këtë ngjarje në qendër të Dimalit dhe realizoi një intervistë të shkurtër me drejtorin e panairit, zotin Albano Koro, i cili vuri në pah rëndësinë e mbajtjes gjallë të traditës dhe muzikës folklorike në komunitet.