Zvina në Pukë po kthehet në një destinacion të kërkuar për pushime me natyrë të egër, aventura dhe kuzhinë tradicionale.
E fshehur mes maleve të Pukës dhe e rrethuar nga bukuritë e rralla të natyrës shqiptare, Zvina është sot një nga surprizat më të këndshme për vizitorët që kërkojnë qetësi, eksperienca autentike dhe shije të mirëfillta tradicionale, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi. Fshati ndodhet pranë Liqenit të Komanit dhe është i arritshëm me anije nga portet e Fierzës dhe Komanit, duke e kthyer udhëtimin drejt tij në një aventurë të vërtetë.
Lundrimi për në Zvinë zgjat rreth 40 minuta dhe ofron pamje të paharrueshme përgjatë rrjedhës së lumit, mes kanioneve dhe relievit të thyer, një përvojë që të ngjall emocione të forta përpara se të mbërrish në këtë perlë të natyrës.
Së fundmi, banorët e zonës kanë nisur të hapin biznese familjare, duke ofruar bujtina të ngrohta e ushqime të gatuara me përbërës vendas. Këto shtëpi pritëse jo vetëm që presin turistët, por edhe i bëjnë ata të ndihen si në shtëpinë e tyre, duke shijuar gatime tradicionale dhe mikpritje të ngrohtë.
Vizitorët kanë mundësi të marrin pjesë në aktivitete të shumta: nga notimi në ujërat e kristalta të liqenit, tek peshkimi dhe eksplorimi i shtegëve natyrore. E gjithë kjo zonë është ideale për ata që kërkojnë të shkëputen nga përditshmëria dhe të lidhen me natyrën.
Pamjet që ofron Zvina janë një kombinim perfekt mes qetësisë, gjelbërimit dhe malësisë së paprekur. Është vendi ideal për të kaluar fundjava relaksuese apo për të eksploruar një pjesë ende të panjohur të Shqipërisë.
Për çdo dashamirës të natyrës, historisë dhe kuzhinës shqiptare, Zvina po kthehet në një vend që nuk duhet lënë pa vizituar. Një udhëtim që fillon me një lundrim të paharrueshëm dhe përfundon me një përvojë që mbetet gjatë në kujtesë.