Pensionistët italianë po zgjedhin Shqipërinë dhe Tunizinë për shkak të përjashtimeve tatimore dhe kostove të ulëta të jetesës
Shqipëria po kthehet në një ndër destinacionet më tërheqëse për pensionistët italianë, duke konkurruar vendet tradicionale si Spanja apo Portugalia. Vetëm në vitin 2023, instituti italian i sigurimeve shoqërore INPS transferoi rreth 13 milionë euro për pensionet e italianëve që jetojnë në Shqipëri. Përfitimi mesatar mujor për pensionist arriti në 2,348 euro, një shifër që dëshmon interesin e rritur për vendin tonë.
Përveç klimës së favorshme dhe afërsisë me Italinë, Shqipëria ofron një përjashtim të plotë tatimor për pensionet e huaja. Ky përfitim unik në rajon ka kthyer vendin në një strehë të re për qytetarët italianë në kërkim të qetësisë financiare dhe jetës më të lirë. Së bashku me Rumaninë, që aplikon një normë tatimore të vetme prej 10%, Shqipëria po ngjitet me shpejtësi në hartën e pensionistëve italianë.
Tunizia është një tjetër vend që po përjeton një rritje të ndjeshme të italianëve që vendosin të jetojnë atje pas daljes në pension. Në qytetin bregdetar të Hammamet, numri i shtetasve italianë ka arritur rreth 4,000. Për ish-punonjësit publikë, kjo është një mundësi e artë pasi 80% e pensionit përjashtohet nga taksat dhe pjesa tjetër tatohet me norma simbolike.
Ndërkohë, Spanja mbetet ende në krye të preferencave. Ajo ofron klimë të ngrohtë, ngjashmëri kulturore dhe përfitime tatimore për të moshuarit, duke përfshirë zbritje deri në 7,000 euro për personat mbi 75 vjeç. INPS ka transferuar 147.3 milionë euro në pensione drejt Spanjës gjatë vitit 2023, me një çek mesatar prej 1,339 eurosh në muaj.
Nga ana tjetër, Portugalia ka humbur pozitat e saj për shkak të ndryshimeve të fundit në regjimin tatimor. Nga viti 2024, përjashtimet nga taksat për banorët jo-rezidentë janë hequr, duke bërë që numri i transferimeve të reja të bjerë me 83.7% në pesë vitet e fundit.
Vendet si Greqia, Qipro, Malta dhe Sllovakia kanë një prani minimale të pensionistëve italianë për shkak të kushteve më pak tërheqëse. Vetëm 37 italianë u transferuan në Greqi në vitin 2023, ndërsa numrat për Qipron, Maltën dhe Sllovakinë mbetën njëshifrorë.
Sot, zgjedhja për të kaluar vitet e pensionit nuk varet më vetëm nga dielli dhe deti. Regjimet tatimore, siguria, kostoja e jetesës dhe infrastruktura shëndetësore janë faktorë vendimtarë. Shqipëria, Tunizia, Rumania dhe Spanja po udhëheqin këtë transformim të hartës europiane të pensionit italian.