Izraeli godet objektivat bërthamore në Iran, përshkallëzohet rreziku për një luftë rajonale

Izraeli godet me raketa objektiva strategjike në Teheran, Irani përgjigjet me mbi 100 dronë mbi hapësirën ajrore të Irakut dhe Jordanisë

Një seri shpërthimesh të fuqishme goditën kryeqytetin iranian Teheran herët në mëngjesin e së premtes, pas një sulmi të koordinuar nga Izraeli kundër objekteve bërthamore dhe ushtarake të Iranit. Sipas autoriteteve iraniane, nga sulmet humbën jetën dy prej zyrtarëve më të lartë ushtarakë të vendit, përfshirë komandantin e Gardës Revolucionare, gjeneral Hossein Salami, dhe shefin e shtabit të ushtrisë, gjeneral Mohammad Bagheri.

Sulmet e Izraelit u drejtuan ndaj objektivave strategjikë, përfshirë qendrën kryesore të pasurimit të uraniumit në Natanz dhe një numër të madh instalimesh radarësh dhe raketash tokë-ajër në perëndim të Iranit. Pamje të transmetuara nga mediat treguan re të mëdha tymi që ngriheshin mbi kryeqytet, ndërsa të dhëna të mëvonshme konfirmuan edhe viktima në radhët e shkencëtarëve bërthamorë.

Në reagim ndaj këtij sulmi, Irani nisi më shumë se 100 dronë në drejtim të Izraelit, shumë prej të cilëve kaluan hapësirën ajrore të Irakut dhe Jordanisë. Të dy këto vende raportuan përfshirjen e forcave të tyre ajrore në interceptimin e këtyre mjeteve, për të shmangur rënie në territorin e tyre. Izraeli deklaroi se kishte ndërmarrë masa parandaluese dhe kishte aktivizuar të gjitha sistemet mbrojtëse për të neutralizuar kërcënimet.

Kryeministri Benjamin Netanyahu e justifikoi sulmin si një goditje parandaluese ndaj një kërcënimi ekzistencial që, sipas tij, përbënin planet iraniane për të ndërtuar armë bërthamore. “Ky është një rrezik i qartë dhe i menjëhershëm për mbijetesën e Izraelit,” deklaroi Netanyahu, duke shtuar se operacioni do të vijojë “deri në eliminimin e kërcënimit”.

Shtetet e Bashkuara bënë të ditur se nuk ishin pjesë e këtij operacioni dhe paralajmëruan Iranin që të mos ndërmarrë veprime hakmarrëse ndaj interesave amerikane. Ndërkohë, ambasada amerikane në Jeruzalem lëshoi një paralajmërim emergjent për stafin e saj dhe familjarët që të qëndrojnë të strehuar.

Sulmi në Teheran përfshiu rreth 200 avionë izraelitë dhe shënjestroi afro 100 objektiva. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike konfirmoi goditjen e objektit të pasurimit të uraniumit në Natanz, duke njoftuar se po monitoron me kujdes nivelet e rrezatimit. Mbyllja e hapësirës ajrore nga katër shtete dhe rritja e çmimit të naftës treguan për efektin e menjëhershëm gjeopolitik të ngjarjes.

Udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, e cilësoi sulmin si një “krim të përgjakshëm ndaj popullit të dashur iranian” dhe u zotua për një ndëshkim të rëndë ndaj Izraelit. Në një deklaratë, ai theksoi se sulmi kishte goditur edhe zona të banuara dhe shprehu zemërim të thellë ndaj asaj që e cilësoi si “fytyrën e vërtetë djallëzore të armikut”.

Përtej zhvillimeve ushtarake, analistët theksojnë se operacioni i Izraelit vjen në një moment kur Tel Avivi përballet me kritika të shumta për luftën në Gaza dhe pasiguri të brendshme. Megjithatë, ekziston një konsensus i gjerë brenda shoqërisë izraelite që e sheh Iranin si një kërcënim madhor, çka përforcoi mbështetjen për sulmin, përfshirë edhe nga opozita.

Zhvillimet e fundit shënojnë një përshkallëzim të rrezikshëm në marrëdhëniet mes dy fuqive armiqësore në Lindjen e Mesme, me pasoja që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin rajonal dhe global.

Ndaj Postimin: