Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga ekstradimi i dy shtetasve shqiptarë nga Dubai, të akuzuar për vrasje dhe pastrim parash, pas një operacioni të suksesshëm të zhvilluar në bashkëpunim me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Interpolin, duke goditur aktivitetin e grupeve kriminale.
Në një operacion të koduar “The Wanted”, autoritetet shqiptare në bashkëpunim të ngushtë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Interpolin, realizuan ekstradimin e Dashnor Dumanit, vëllai i Nuredin Dumanit, si dhe Artemis Stafës. Të dy këta persona konsiderohen pjesë të rëndësishme të një organizate kriminale të akuzuar për një sërë veprash penale të rënda në Shqipëri.
Dashnor Dumani akuzohet si ekzekutori i një vrasjeje të trefishtë të ndodhur në fshatin Bradashesh në vitin 2018, si dhe për vjedhje me armë dhe armëmbajtje pa leje. Po ashtu, në vitin 2019 ai dyshohet se ka marrë pjesë në djegien e një automjeti që ishte përdorur në një grabitje të armatosur në zonën e Rinasit. Dumani është i dënuar më parë nga Gjykata e Durrësit, në vitin 2016, me 4 vjet e 4 muaj burgim për armëmbajtje pa leje, prej të cilave i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 4 muaj.
Arrestimi i këtyre dy shtetasve, Dashnor Dumani, 40 vjeç, dhe Artemis Stafa, 36 vjeç, është rezultat i shkëmbimit të shpejtë të informacioneve mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe atyre të Dubait, nën koordinimin e Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit. Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar (GjKKO) u ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për akuzat përkatëse.
Sipas dosjes së GjKKO-së, Dashnor Dumani akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, “vjedhje me armë” dhe “mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Veprimet e tij konsiderohen të kryera në kuadër të një organizate kriminale, ndërsa për vrasjen e trefishtë në Bradashesh ai dyshohet si ekzekutor, dhe për incidentin në Rinas, si pjesëmarrës në djegien e automjetit bashkë me një shtetas tjetër.
Nga ana tjetër, Artemis Stafa dyshohet për “pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, duke shfrytëzuar shitblerjen e automjeteve për të pastruar paratë e vëllezërve Çopja, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale.
Policia thekson se ky operacion është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, me synimin për të goditur krimin e organizuar dhe për të çuar para drejtësisë të gjithë personat që kërkojnë t’i shpëtojnë ndjekjes ligjore në Shqipëri. Pamjet nga momenti i ekstradimit janë publikuar si dëshmi e vendosmërisë së institucioneve për të luftuar kriminalitetin dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.