Protestat në Los Angeles përshkallëzohen pas dislokimit të Gardës Kombëtare nga Trump

Trazirat në qendër të Los Angeles u rritën të dielën, ndërsa mijëra qytetarë protestuan kundër dislokimit të Gardës Kombëtare nga Presidenti Trump, duke bllokuar autostradën kryesore dhe djegur makina, ndërsa forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës, plumba gome dhe mjete shokuese për të shpërndarë turmat.

Tensionet në Los Angeles arritën kulmin të dielën, kur mijëra protestues dolën në rrugët kryesore si përgjigje ndaj vendimit të Presidentit Donald Trump për të dërguar qindra pjesëtarë të Gardës Kombëtare në qytet. Protestuesit bllokuan autostradën 101, dogjën makina të llojit “Waymo” dhe përballë tyre, policia përdori mjete të forta për shpërndarjen e turmës, duke përfshirë gaz lotsjellës dhe plumba gome.

Njësitë policore patrulluan rrugët me kuaj, ndërsa forcat e Gardës Kombëtare u vendosën për të ruajtur objekte federale, përfshirë një qendër paraburgimi, ku gjatë ditëve të fundit ishin transferuar emigrantë. Përplasjet vazhduan përgjatë gjithë ditës, derisa policia shpalli tubimin të paligjshëm dhe filloi të shpërndajë turmat.

Protestuesit që qëndruan në shesh, përdorën karrige nga parku afër për të ndërtuar barrikada, duke hedhur objekte ndaj policisë. Të tjerë hodhën copa betoni, gurë, trotineta elektrike dhe fishekzjarrë mbi policinë në autostradë, duke detyruar oficerët të strehoheshin nën ura. Ky ishte dita e tretë e protestave kundër masave të reja të imigracionit, të cilat kulmuan pas mbërritjes së 300 trupave federale që shtuan pasigurinë dhe zemërimin tek banorët.

Që në orët e para të mëngjesit, Garda Kombëtare, e armatosur me pajisje antitrazirë, u rreshtua përballë Qendrës Metropolitane të Paraburgimit, ndërkohë që protestuesit kërkonin largimin e trupave dhe kritikonin veprimet e qeverisë federale. Përgjigja e policisë ishte e menjëhershme, duke përdorur bomba tymuese për të shpërndarë turmat. Një pjesë e madhe e protestuesve u zhvendosën për të bllokuar autostradën, ku për disa orë lëvizja u ndërpre.

Gjatë trazirave, të paktën katër makina autonome u dogjën duke krijuar shtëllunga të mëdha tymi, ndërsa policia ndërhyri për të ndalur zjarrin dhe për të ndaluar protestuesit më agresivë. Në mbrëmje, forcat e rendit shpallën bllokimin e disa zonave të qendrës së qytetit, duke përdorur vazhdimisht mjete shokuese për të ndalur përshkallëzimin e dhunës.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i kërkoi zyrtarisht Presidentit Trump të tërhiqte Gardën Kombëtare, duke e konsideruar vendimin si shkelje të rëndë të sovranitetit të shtetit. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë reagoi duke theksuar se ky dislokim ishte i nevojshëm për të ndalur dhunën dhe anarkinë, ndërsa kryetarja e bashkisë së Los Angeles, Karen Bass, e quajti situatën “kaos të provokuar nga administrata”.

Dislokimi i Gardës Kombëtare në Los Angeles ndodhi pas dy ditësh protestash intensive, të cilat nisën të premten dhe u shtrinë edhe në qytetet përreth. Agjentët federalë arrestuan emigrantë në disa pika të qytetit, duke rritur ndjeshëm pasigurinë. Përballja mes protestuesve dhe autoriteteve vazhdoi, ndërsa shumë prej tyre u ndaluan, përfshirë edhe një udhëheqës të rëndësishëm sindikal.

Presidenti Trump deklaroi se situata do të kontrollohej me “ligj dhe rend shumë të fortë”, duke paralajmëruar masa të tjera nëse protestat vazhdojnë. Ndërkohë, figura të tjera si ish-nënpresidentja Kamala Harris dënuan ashpër qasjen e administratës, duke e quajtur “agjendë të dhunshme dhe përçarëse”. Gjithçka mbetet në zhvillim, ndërsa Los Angeles-i mbetet nën tension të lartë, me qytetarët dhe autoritetet që kërkojnë zgjidhje për situatën kritike.

Ndaj Postimin: