Arrestimi i shtetasit kinez Cui Guanghai dhe britanikut John Miller me urdhër të FBI-së ka kthyer Serbinë në qendër të një përballjeje gjeopolitike mes Pekinit dhe Uashingtonit, duke vendosur Beogradin përpara një prove të vështirë diplomatike dhe ligjore.
Dy shtetasit, një kinez dhe një britanik, u arrestuan në Beograd me urdhër ndërkombëtar të lëshuar nga SHBA-të, të akuzuar për përndjekjen e një disidenti kinez në Kaliforni dhe përpjekje për kontrabandim të teknologjisë ushtarake amerikane drejt Kinës. BIRN raportoi se kjo çështje nuk është më thjesht një rast ligjor, por është shndërruar në një test të fortë gjeopolitik për Serbinë.
Sipas autoriteteve amerikane, të arrestuarit akuzohen për organizimin e persekutimit ndaj artistit kinez Hui Bo, i njohur për skulpturat provokuese ndaj Presidentit të Kinës, Xi Jinping, dhe bashkëshortes së tij. Kjo ka bërë që tensionet diplomatike mes Serbisë dhe Kinës të shtohen, sidomos pas ndërhyrjes së ambasadorit kinez në Beograd, Li Ming, i cili shprehu pakënaqësinë e tij pranë Ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiç.
Ndërsa BIRN raportoi se biseda mes ambasadorit kinez dhe Daçiçit ishte e tensionuar, ministri serb ka deklaruar se takimi është zhvilluar më vonë dhe nuk ka pasur tone të ashpra. Megjithatë, arrestimi ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, pasi të dy të dyshuarit kaluan nga paraburgimi në arrest shtëpiak brenda pak javësh, në pritje të ekstradimit.
Hetimet e FBI-së tregojnë se Guanghai dhe Miller u monitoruan për një periudhë të gjatë, duke dokumentuar planet e tyre për sulm ndaj artistit disident dhe përpjekjet për të importuar në mënyrë të paligjshme pajisje ushtarake në Kinë, si raketa, dronë dhe radarë. Sipas komunikimeve të tyre, ata vepronin me urdhër dhe mbështetje të plotë të autoriteteve kineze, të cilat u kishin premtuar fonde të mëdha për këto operacione.
Aktakuza pritet të zbulojë detaje të reja mbi mënyrën se si të dy të dyshuarit bashkëpunuan me persona që më pas u rezultuan agjentë të fshehtë të FBI-së, duke nxjerrë në pah përmasat e operacionit të ndërlikuar të spiunazhit. Nga dokumentet e zbuluara, tregohet se Cui Guanghai kishte lidhje të drejtpërdrejta me autoritetet shtetërore të Kinës dhe vepronte në përputhje me udhëzimet e tyre.
Ky rast i jep një dimension të ri rolit të Serbisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke e vënë këtë shtet përballë një zgjedhjeje të vështirë midis aleancave tradicionale dhe presionit në rritje nga SHBA dhe Kina. Tensionet diplomatike pritet të vazhdojnë, ndërsa procesi gjyqësor pritet të sjellë zhvillime të reja në ditët në vijim.