Takimi në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit të Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, shënohet nga tensione për shkak të videove që pretendojnë gjenocid ndaj të bardhëve, ndërkohë që të dy palët theksojnë nevojën për të rishikuar marrdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin ekonomik
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, priti në Shtëpinë e Bardhë presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, në një takim që fillimisht u paraqit si përpjekje për rishikim të marrdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve. Qeveria e Afrikës së Jugut nënvizoi si qëllim kryesor “ripërcaktimin e bashkëpunimit dypalësh”, ndërsa vizita erdhi pas tensioneve të fundit që pasuan vendimin e Trump për të ngrirë ndihmën ndaj Afrikës së Jugut, për shkak të pretendimeve për trajtim të padrejtë të minoritetit të bardhë.
Në mars, Shtetet e Bashkuara ndërmorën një tjetër hap të fortë diplomatik duke dëbuar ambasadorin e Afrikës së Jugut, duke thelluar përplasjet mes Uashingtonit dhe Pretorias. Gjatë takimit të mbajtur në Zyrën Ovale, presidenti Ramaphosa deklaroi se vizita kishte si synim kryesor rivendosjen e marrdhënieve ndërmjet vendeve dhe avancimin e bashkëpunimit ekonomik.
Ramaphosa u shpreh se Afrika e Jugut është e interesuar për zgjerimin e tregtisë me SHBA-në, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit mes dy ekonomive, megjithëse vuri në dukje diferencat e mëdha mes tyre. Ai shtoi se Afrika e Jugut ofron minerale të rralla të rëndësishme për ekonominë amerikane dhe proceset e riindustrializimit.
Takimi u shoqërua nga tensione kur presidenti Trump shfaqi disa video që pretendonin raste të gjenocidit ndaj fermerëve të bardhë në Afrikën e Jugut. Ai i shpjegoi Ramaphosës dhe mediave se materialet e paraqitura vërtetonin sipas tij “një realitet të dhunshëm ndaj pakicës së bardhë”, duke përmendur raste konkrete nga mediat ndërkombëtare dhe artikuj lajmesh të kohëve të fundit.
Presidenti Ramaphosa reagoi duke theksuar se deklaratat dhe politikat e paraqitura në videot e shfaqura nuk pasqyrojnë qëndrimin e qeverisë së Afrikës së Jugut. Ai shtoi se demokracia shumëpartiake e vendit lejon diversitetin e mendimeve dhe ekzistencën e partive të vogla, të cilat shpesh dalin në kundërshtim me politikat zyrtare shtetërore.
Sipas Ramaphosës, politika zyrtare e Afrikës së Jugut është kundër çdo forme dhune, diskriminimi apo kërcënimi ndaj pakicave dhe çdo qëndrim i kundërt i individëve apo partive të vogla është në kundërshtim me kushtetutën e vendit. Ai siguroi se qeveria e tij është e përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e çdo qytetari, pavarësisht origjinës apo përkatësisë etnike.
Ky takim i fundit mes Trump dhe Ramaphosa vjen në një moment kritik për marrdhëniet mes SHBA-së dhe Afrikës së Jugut, teksa bashkëpunimi ekonomik dhe debati për të drejtat e njeriut mbeten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
WOW! President Trump just halted the meeting with the South African President to show videos of prominent South African politicians calling for genocide against white South Africans.
— George (@BehizyTweets) May 21, 2025
Ramaphosa looked embarrassed. pic.twitter.com/ZopuIeFlHM