Rezultatet e deritanishme të numërimit të votave tregojnë një avantazh të qartë për Partinë Socialiste, e cila duket se do të drejtojë vendin edhe për katër vitet e ardhshme.
Deri në orën 05:50, janë numëruar 4833 kuti votimi nga 5225 të gjithsej, dhe rezultatet e deritanishme flasin për një fitore të bindshme të PS-së, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, partia në pushtet ka siguruar 82 mandate, duke fituar një mandat në Lezhë nga Partia Demokratike. Mandatet më të mira të PS-së janë regjistruar në Tiranë, Fier, Durrës dhe Elbasan. Ndërkohë, koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike ka siguruar 51 mandate, ndërsa Partia Mundësia e Agron Shehajt ka marrë një mandat në Tiranë.
Partitë e reja kanë arritur gjithashtu përfaqësim të caktuar në Kuvendin e Shqipërisë. PSD-ja e Tom Doshit është forcë e tretë politike, me tre mandate, ndërsa koalicioni “Nisma Shqipëria bëhet” ka siguruar një mandat. Lëvizja Bashkë ka arritur gjithashtu të sigurojë një mandat.
Numri i votave të deritanishme e tregon PS-në në një avantazh të konsiderueshëm, duke kaluar 228 mijë vota para Partisë Demokratike. Kjo diferenë është e mjaftueshme për të garantuar një mandatin e katërt për Partinë Socialiste.