Shqipëria prodhoi më shumë mbetje gjatë vitit 2025, ndërsa menaxhimi i tyre vijon të mbështetet kryesisht te depozitimi në landfille. Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë vitit të kaluar u menaxhuan rreth 901 mijë tonë mbetje, ose 4.5% më shumë se një vit më parë.
Në terma individualë, çdo banor prodhoi mesatarisht 383 kilogramë mbetje gjatë vitit, rreth 23 kilogramë më shumë se në vitin 2024. Tendenca e rritjes është e dukshme edhe në vitet e fundit. Në vitin 2023 u menaxhuan rreth 844 mijë tonë mbetje, ndërsa në 2024-ën mbi 862 mijë tonë.
Rritja e aktivitetit ekonomik dhe veçanërisht bumi turistik i vitit të kaluar, i shoqëruar me konsum më të lartë, kanë ndikuar edhe në shtimin e volumit të mbetjeve.
Peshën kryesore e zënë mbetjet familjare dhe ato të ngjashme me to, me rreth 802 mijë tonë. Më pas renditen mbetjet plastike, letra dhe kartoni, si dhe mbetjet inerte.
Por problemi mbetet mënyra se si këto mbetje trajtohen. Pjesa dërrmuese, rreth 76.8%, përfundon në landfille. Vetëm 18% e mbetjeve urbane riciklohen, ndërsa rreth 5% digjen për prodhimin e energjisë, kategori ku përfshihet edhe incenerimi.
Shifrat tregojnë një përdorim ende shumë të kufizuar të trajtimeve alternative ndaj depozitimit, ndërsa kapacitetet e riciklimit dhe përpunimit mbeten një sfidë.
Në këtë panoramë, qeveria ka nisur zbatimin e ligjit të ri për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Qasja e re synon që menaxhimi të nisë me parandalimin e krijimit të mbetjeve, të vijojë me ripërdorimin dhe riciklimin, më pas rikuperimin dhe vetëm në fund trajtimin përfundimtar.
Synimi është që mbetjet të mos shihen vetëm si një problem për t’u depozituar, por edhe si një burim që mund të rikthehet në ekonomi përmes riciklimit dhe ripërdorimit.
Menaxhimi i mbetjeve mbetet një nga sfidat e kapitullit 27 të negociatave me Bashkimin Europian, ku Shqipëria përballet jo vetëm me nevojën për pastrimin dhe trajtimin e territorit, por edhe me kosto të konsiderueshme financiare për të ngritur një sistem më efikas dhe të qëndrueshëm.