Viti ka nisur me një rekord të ri në tregun e peshkut Toyosu në Tokio, ku një ton i kuq gjigant u shit për 510.3 milionë jen, ose rreth 3.2 milionë dollarë, në ankandin tradicional të Vitit të Ri.
Peshku 243 kilogramësh u ble nga kompania Kiyomura Corp, e cila menaxhon zinxhirin e famshëm të restoranteve Sushi Zanmai. Presidenti i saj, Kiyoshi Kimura, i njohur edhe si “Mbreti i Tonit”, është i famshëm për ofertat e larta që bën çdo vit në këtë ankand simbolik.
Pas blerjes, Kimura pranoi se çmimi kishte tejkaluar pritshmëritë e tij, duke theksuar se konkurrenca u rrit shumë shpejt gjatë ankandit. Megjithatë, ai e cilësoi blerjen si një shenjë të mbarë për fillimin e vitit.
Ankandet e para të vitit në Toyosu njihen për atmosferën intensive dhe për shifrat marramendëse, duke u kthyer edhe në një atraksion turistik për kryeqytetin japonez. Ankandi i këtij viti nisi rreth orës 05:00 të mëngjesit, sipas kohës lokale, dhe u ndoq me interes të madh.
Tonit rekord iu bë përpunimi menjëherë pas ankandit dhe u shërbye klientëve në restorantet Sushi Zanmai. Një prej tyre u shpreh se konsumimi i tonit të parë të vitit i dha ndjesinë e një fillimi të mbarë dhe fatlum.
Çmimi i këtij viti ka tejkaluar edhe rekordin e vitit 2019, duke e bërë këtë ankand më të shtrenjtin në historinë e tregut Toyosu.