1200 kredi të buta për familjet në nevojë, Veliaj: Banesa cilësore për të prekurit nga tërmeti

Rreth 1200 familje të pastreha në Tiranë do të përfitojnë subvencionim të interesave të kredisë për blerjen e një banese, duke pasur lirinë të zgjedhin zonën ku duan të jetojnë.

Lajmi u bë i ditur nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë podcastit “Majtas”, ku ai sqaroi se skema synon të shmangë krijimin e zonave të izoluara dhe të ofrojë mundësi të barabarta për qytetarët.

“Ne nuk duam të krijojmë geto. Për këtë arsye, kur japim 1200 kredi të buta, Bashkia amortizon interesin e kredisë, ndërsa qytetarët zgjedhin vetë banesën e tyre. Kjo do të thotë se nuk kemi një pallat të vetëm, por shtëpi të shpërndara në të gjitha lagjet e Tiranës. Disa mund të zgjedhin zona më të lira si Fresku, Rilindja, Unaza e Madhe apo Unaza e Re, ndërsa të tjerë mund të preferojnë qëndra urbane, duke u pajtuar me metra katrorë më të paktë,” shpjegoi Veliaj.

Në të njëjtën linjë, ai shtoi se edhe programi i banesave sociale po zbatohet sipas të njëjtit model, duke synuar përmirësimin e kushteve të jetesës për ata që zhvendosen nga projektet infrastrukturore, si zgjerimi i Lanës. “Nuk duam që të gjithë të përqendrohen në një zonë të vetme si Shkoza. Po ndërtojmë disa banesa sociale të shpërndara, duke garantuar një integrim më të mirë,” tha ai.

Veliaj theksoi se në projektet e banesave sociale janë përfshirë arkitektë të njohur ndërkombëtarë, të cilët po kontribuojnë në krijimin e lagjeve moderne dhe funksionale. “Ne po lëvizim drejt një standardi më të lartë. Banorët që po shpërngulen nga zonat e prekura nga tërmeti po futen në apartamente të projektuara nga arkitektë të njohur, ashtu siç kemi bërë me lagjen e Kombinatit dhe lagjen ‘5 Maji’,” shtoi ai.

Sipas tij, cilësia e banesave të ndërtuara për të prekurit nga tërmeti është shumë më e lartë krahasuar me strehimin e tyre të mëparshëm. “Sot që njerëzit po hyjnë në shtëpi të reja, e kuptojnë diferencën e madhe me atë që kishin humbur. Kemi krijuar lagje moderne me të gjitha shërbimet e nevojshme,” tha kryebashkiaku.

Programi i subvencionimit të interesave të kredisë është rihapur pas një periudhe ndërprerjeje nga administrata e mëparshme. Ai synon të ndihmojë familjet dhe çiftet e reja që nuk kanë mundësi financiare për të blerë një shtëpi në tregun e lirë ose për të përballuar kreditë hipotekore tradicionale.

Në fund, Veliaj theksoi se ky projekt është pjesë e një plani më të gjerë për të përmirësuar standardin e jetesës dhe për t’u ofruar qytetarëve kushte më të mira banimi, duke e bërë Tiranën një qytet më të aksesueshëm për të gjithë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera