Pamjet që shihni vijnë nga qyteti i Lushnjës dhe Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, ku qytetarët edhe këtë 1 Maj, si çdo vit, e kanë shfrytëzuar si një ditë pushimi dhe relaksi. Hapësirat publike dhe ambientet natyrore janë mbushur me familje dhe të rinj që kanë zgjedhur ta kalojnë këtë ditë mes gjelbërimit dhe qetësisë së një dite tipike pranverore.
Në vend të tubimeve apo protestave, atmosfera paraqitet e qetë dhe festive. Qytetarët shijojnë dreka familjare në natyrë apo në lokale, ndërsa fëmijët kalojnë kohën duke luajtur në parqe, larg zhurmës së përditshme.
Edhe Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta ka qenë i frekuentuar gjatë gjithë ditës. Familjarë të shumtë kanë zgjedhur këtë destinacion për të kaluar 1 Majin, duke u ngjitur në kullën panoramike 360 gradë dhe duke shijuar praninë e pelikanit kaçurrel, simbol i këtij parku. Nën hijen e pishave, shumë prej tyre kanë shtruar drekat, ndërsa fëmijët luanin të lirë mbi barin e gjelbër.
Ndërkohë që në shumë vende të botës kjo ditë shënohet me protesta për të drejtat e punëtorëve, në Shqipëri 1 Maji vijon të mbetet më tepër një ditë feste dhe relaksi familjar.
Megjithatë, kjo datë ruan simbolikën e saj si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve dhe një moment reflektimi për të drejtat në punë.
Në Lushnjë dhe Divjakë, qytetarët kanë zgjedhur ta jetojnë këtë ditë ndryshe – mes natyrës, qetësisë dhe kohës së kaluar me familjen, larg ritmit të zakonshëm të përditshmërisë.