Një përfaqësues i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit ka zhvilluar një seri takimesh në Tiranë, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit Shqipëri–SHBA në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve.
Mark Tervakoski, Drejtor i Zyrës për Europën dhe Azinë në Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, u takua me drejtues të institucioneve kyçe të drejtësisë dhe sigurisë në vend.
Gjatë vizitës, ai zhvilloi takime me kreun e SPAK, Klodian Braho, ministren e Brendshme Albana Koçiu dhe Presidentin e Republikës Bajram Begaj, si dhe me përfaqësues të tjerë të sistemit të zbatimit të ligjit, shoqërisë civile dhe misioneve ndërkombëtare.
Sipas njoftimit të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, vizita synon forcimin e partneritetit në përballjen me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe rrjetet e trafikut të narkotikëve, të cilat konsiderohen kërcënim për sigurinë rajonale dhe kombëtare.
Shtetet e Bashkuara kanë theksuar angazhimin për të ofruar mbështetje teknike, trajnime dhe bashkëpunim operativ për institucionet shqiptare që ndajnë të njëjtin prioritet në luftën kundër strukturave kriminale.
Vizita vjen në një moment kur bashkëpunimi mes SPAK dhe partnerëve ndërkombëtarë konsiderohet thelbësor për çështje të ndjeshme të krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë.