Prokuroria e Fierit dërgon për gjykim tre zyrtarë të IMT-së dhe tre ish-policë të Mallakastrës, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe lehtësim ndërtimesh të paligjshme.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier ka përfunduar hetimet për një dosje të rëndësishme që lidhet me ndërtime pa leje në Bashkinë Mallakastër. Hetimi, i nisur në tetor 2024, ka nxjerrë para drejtësisë shtatë persona, përfshirë zyrtarë të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit dhe ish-policë lokalë.
Nga verifikimet u provua se ndërtimet e paligjshme ishin kryer pas pajisjes me deklarata paraprake, ndërkohë që objektet kërkonin leje ndërtimi sipas ligjit. Inspektorët e IMT-së dhe specialistët e policisë, megjithëse ishin në dijeni, nuk ndërmorën asnjë veprim për të ndaluar shkeljet.
Në listën e të pandehurve janë tre ish-ndihmës specialistë të policisë së Mallakastrës, të akuzuar për shpërdorim detyre, si dhe kryeinspektori dhe dy inspektorë të IMT-së të bashkisë, të cilët dyshohen se kanë lejuar vijimin e ndërtimeve pa ndërhyrë. Një tjetër person, L. M., akuzohet drejtpërdrejt për kryerjen e veprës penale “Ndërtim i paligjshëm”.
Prokuroria theksoi se këto raste kanë cënuar rendin juridik të territorit dhe janë dëshmi e mungesës së zbatimit të ligjit nga strukturat përgjegjëse. Materialet hetimore tregojnë se ndërtimet ishin të evidentuara dhe të njohura nga autoritetet, por u anashkaluan.
Në këtë proces penal, organi i akuzës ka shprehur angazhimin për të vënë para përgjegjësisë çdo individ, zyrtar apo punonjës publik që shkel ligjin dhe lejon dëmtimin e hapësirave urbane. Hetimi pritet të shërbejë si precedent për raste të ngjashme, ku shpërdorimi i detyrës ka ndikuar drejtpërdrejt në përhapjen e ndërtimeve pa leje.
Çështja tashmë i ka kaluar gjykatës, e cila do të vendosë mbi fajësinë dhe masat ndëshkuese për shtatë të pandehurit. Procesi shihet si një provë e rëndësishme për forcimin e zbatimit të ligjit mbi territorin dhe ndërtimet në Mallakastër.
NJOFTIMI I PROKURORISE
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtatë zyrtarë për veprat penale ‘Ndërtim i paligjshëm’ dhe ‘Shpërdorim detyre’, parashikuar nga nenet 199/a, pg 1 dhe 4 dhe 248 të Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve të procedimit penal nr.1665, datë 21.10.2024, u evidentuan 7 raste të ndërtimeve pa leje nga shtetas të ndryshëm të Bashkisë Mallakastër. Këta shtetas kryesisht pajiseshin me deklarata paraprake për kryerje punimesh dhe më pas kryenin ndërtime të cilat kërkonin pajisje me leje ndërtimi. Në disa raste të ndërtimeve pa leje, rezultoi se strukturat përkatëse inspektuese dhe Ndihmës Specialistët e zonës ishin në dijeni të ndërtimeve pa leje dhe nuk ushtronin përgjegjësitë e tyre sipas ligjit.
Nga hetimi u provua se kryeinspektori dhe dy inspektor pranë IMT-së Bashkia Mallakastër, nuk ushtruan detyrat funksionale në 7 rastet e ndërtimeve pa leje. Megjithse ishin vënë në dijeni për ekzistencën në disa raste të këtyre ndërtimeve, ato nuk ushtronin detyrën funksionale sipas ligjit nr. 9780, datë 16.7.2007 “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, ligjit nr. 107/2024 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, si dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tyre, duke i ngarkuar me përgjegjësi sipas nenit 248 të Kodit Penal.
Gjithashtu, mos ushtrimi i përgjegjësive sipas ligjit nr.108/2014 “Për policinë e shtetit”, dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, u evidentua dhe për 3 Ndihmës Specialist/SPZ, pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër, konkretisht shtetasit Y.K, I.B, D.Y. Rezultoi se, këta shtetas nuk kanë ushtruar detyrat e tyre funksionale në kontrollin, evidentimin dhe identifikimin e ndërtimeve pa leje, megjithse kanë qënë në dijeni të tyre. Dijenia e tyre rezultoi nga aktet shkresore të marra gjatë hetimit.
Në përfundim të hetimeve u morën me cilësinë e të pandehurit 7 shtetas dhe përkatësisht:
1- Y. K me detyrë ish Ndihmës Specialist/SPZ, pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
2- I. B me detyrë ish Ndihmës Specialist/SPZ, pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
3- D.J me detyrë ish Ndihmës Specialist/SPZ, pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
4- A. X, me detyrë Kyeinspektor pranë Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit bashkia Mallakastër, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
5- Sh. Xh me detyrë inspektor pranë Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit bashkia Mallakastër, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
6- K. Y me detyrë inspektor pranë Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit bashkia Mallakastër, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
7- L M, për kryerjen e veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a pg.4 i Kodit Penal.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë shtetasve që cënojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve, si dhe punonjësve shtetërorë ose në shërbim publik që kryejnë vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore.