Zvicra shqyrton ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç

Zvicra po shqyrton mundësinë e vendosjes së kufizimeve për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 16 vjeç, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar mbrojtjen e të miturve nga rreziqet online.

Ministrja e Brendshme zvicerane, Elisabeth Baum-Schneider, është shprehur se vendi duhet të marrë seriozisht debatin e hapur së fundmi në Australi dhe në Bashkimin Europian, duke theksuar se është e hapur edhe ndaj një ndalimi të mundshëm të mediave sociale për moshat e reja. Sipas saj, mbrojtja e fëmijëve duhet të jetë prioritet dhe kërkon masa më të forta institucionale.

Autoritetet zvicerane pritet të analizojnë se çfarë lloj kufizimesh mund të zbatohen, përfshirë ndalimin e aksesit për fëmijët, kontrollin e përmbajtjeve të dëmshme dhe rregullimin e algoritmeve që, sipas vlerësimeve, shfrytëzojnë ndjeshmërinë e të rinjve. Diskutimet e detajuara mbi këtë çështje do të nisin në fillim të vitit të ardhshëm, bazuar në një raport të posaçëm.

Ministrja ka theksuar gjithashtu se përgjegjësi duhet të mbajnë edhe vetë platformat digjitale, të cilat, sipas saj, duhet të kontrollojnë më mirë përmbajtjet që u ekspozohen fëmijëve dhe adoleshentëve.

Debati në Zvicër vjen pas vendimit të Australisë për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale nga personat nën 16 vjeç, një masë që u mirëprit nga prindërit dhe organizatat për mbrojtjen e fëmijëve, por u kundërshtua nga kompanitë e teknologjisë dhe mbrojtësit e lirisë së shprehjes.

Ndërkohë, në fillim të këtij muaji, parlamenti i kantonit zviceran të Fribourg ka miratuar ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në shkolla për nxënësit deri në moshën 15 vjeç, duke sinjalizuar një qasje gjithnjë e më restriktive ndaj teknologjisë në mjediset arsimore.

Ndaj Postimin: