Zv/kryeministri i RMV dënon paraburgimin e Ilir Metës, Nikolovski: Po mbahet në paraburgim pa asnjë dosje, Rama e futi në burg me dajak

Qëndrimi në paraburgim i ish-Presidentit Ilir Meta, është kthyer në një çështje diskutimi edhe në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, ku nuk kanë munguar përplasjet.

Gjatë një seance plenare, zëvendëskryeministri dhe ministri i Infrastrukturës, Aleksandar Nikolovski, ka kritikuar ashpër opozitën në vendin e tij për afrimin me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Ai iu drejtua një deputeti të opozitës me akuza të drejtpërdrejta, duke thënë se opozita po bashkëpunon me figura që, sipas tij, përfaqësojnë një vazhdimësi të së kaluarës komuniste në Shqipëri.

Nikolovski, një nga figurat kryesore të VMRO-DPMNE, ngriti gjithashtu çështjen e paraburgimit të Ilir Metës, për të cilin pretendoi se mbahet pa një dosje të qartë ligjore. Ai theksoi se Meta, i cili ka mbajtur poste të larta shtetërore si kryeministër, kryetar Parlamenti, ministër i Jashtëm dhe President, është trajtuar në mënyrë të padrejtë.

“Shkoni i përuleni Enver Hoxhës, i cili është paraardhës i Partisë Socialiste që e udhëheq tani Edi Rama, i cili paraardhësin ultra demokrat (Ilir Metën) e futi në burg me dajak. Po, po lideri paraprak i Partisë Socialiste, ish Kryeministër, ish Kryetar i Kuvendit, por që dy vjet e mbajnë në burg edhe pse ndaj ti nuk ka asnje dosje”, tha ai.

Në lidhje me këto deklarata ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi. Përmes një qëndrimi publik, ai përshëndeti deklaratat e zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, duke i cilësuar si një qëndrim parimor ndaj, sipas tij, “rrëmbimit dhe burgosjes politike” të Ilir Metës.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033