Zjarrvënësit kapen në flagrancë në Fier dhe Lushnjë

Dy persona u arrestuan pasi ndezën zjarre në zonat e mbrojtura dhe penguan punën e zjarrfikësve, duke shkaktuar dëme të mëdha mjedisore e materiale.

Policia e Fierit dhe e Lushnjës ka zhvilluar operacione të shpejta hetimore dhe operacionale për të vënë para drejtësisë autorët e dy zjarrvënieve të qëllimshme, që sollën shkatërrim të pronës dhe dëmtime të habitateve natyrore.

Në fshatin Cakran të Fierit, specialistët e Hetimit të Krimeve arrestuan 61-vjeçarin Sh. B., i cili dyshohet se ndezi zjarr në luginën e lumit Vjosa, në vendin e njohur si “Mezarak”. Flakët u përhapën me shpejtësi, duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore, rreth 300 pemë ulliri dhe bimësi të ndryshme të parkut kombëtar.

Në një rast tjetër, në fshatin Dushk të Lushnjës, u arrestua 58-vjeçari A. K., i cili dyshohet se ndezi zjarr në tokën e tij, duke shkaktuar djegien e një sipërfaqeje të tërë. Përveç kësaj, ai akuzohet se pengoi zjarrfikësit gjatë përpjekjeve për shuarjen e flakëve, duke vështirësuar ndërhyrjen dhe rritur rrezikun e përhapjes së zjarrit.

Të dy personat po përballen me akuza të rënda, përfshirë “Shkatërrim prone me zjarr” dhe “Dëmtim i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore” në rastin e Fierit, si dhe “Kundërshtim të punonjësit të shtetit” në rastin e Lushnjës.

Materialet procedurale për të dy ngjarjet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ku do të vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka përsëritur thirrjen ndaj qytetarëve që të mos ndezin zjarre në asnjë rrethanë, pasi këto veprime sjellin pasoja penale dhe rrezikojnë seriozisht jetën, pronën dhe mjedisin.

Ndaj Postimin: