Zjarri tragjik në Crans-Montana, identifikohen katër viktimat e para mes 40 të vdekurve

Autoritetet në Zvicër kanë bërë të ditur identifikimin e katër viktimave të para që humbën jetën nga zjarri shkatërrues në një lokal nate në resortin skiistik Crans-Montana, në natën e ndërrimit të viteve.

Policia Kantonale e Valais njoftoi se bëhet fjalë për dy gra zvicerane, 21 dhe 16 vjeçe, si dhe dy burra zviceranë, 18 dhe 16 vjeç. Trupat e tyre janë kthyer pranë familjarëve pas përfundimit të procedurave ligjore.

Sipas autoriteteve, identifikimi u realizua pas një pune të thelluar nga policia dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, ndërkohë që procesi për identifikimin e viktimave të tjera vazhdon.

Zjarri në lokalin “Le Constellation” i mori jetën gjithsej 40 personave dhe la të plagosur 119 të tjerë. Me identifikimin e shumicës së të lënduarve, familjet e personave ende të zhdukur po përballen me pritje të dhimbshme për informacion.

Hetimet paraprake sugjerojnë se flakët mund të jenë shkaktuar nga fishekzjarrë të vendosur në shishe shampanje, të cilët dyshohet se janë mbajtur shumë pranë tavanit të lokalit.

Presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, e ka përshkruar ngjarjen si një nga tragjeditë më të rënda që ka përjetuar vendi.

Autoritetet nuk kanë publikuar emrat e viktimave të identifikuara. Sipas të dhënave zyrtare, mes të vdekurve dhe të zhdukurve ka shumë adoleshentë, ndërsa lokali ishte i njohur për frekuentimin nga të rinjtë, në një zonë ku mosha ligjore për konsumimin e alkoolit është 16 vjeç.

Policia njoftoi gjithashtu se 113 të plagosur janë identifikuar deri më tani, përfshirë 71 shtetas zviceranë, 14 francezë dhe 11 italianë. Për familjet e shqetësuara është vënë në funksion një linjë ndihme në numrin +41 848 112 117.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033