Zjarri në qendër të Elbasanit përfshin një shtëpi të vjetër

Një shtëpi e vjetër në qendër të Elbasanit u përfshi nga flakët mesditën e sotme, duke shkaktuar panik dhe frikë te banorët e zonës.

Një banesë e ndërtuar dekada më parë u shkrumbua nga zjarri që shpërtheu rreth orës 12:09 në zemër të qytetit të Elbasanit. Flakët, të cilat u përhapën me shpejtësi, rrezikuan të preknin edhe banesa e biznese pranë saj, duke ngritur në këmbë banorët që panë gjithçka të ndodhte para syve.

Forcat zjarrfikëse reaguan menjëherë, duke mbërritur në vendngjarje me tre mjete dhe dhjetë efektivë. Pavarësisht intensitetit të zjarrit, ata arritën ta izolonin dhe ta shuajnë brenda një ore, duke shmangur përhapjen në ndërtesa të tjera.

Banorët e zonës treguan se paniku u përhap shpejt, pasi ndërtesa ndodhet në një nga rrugët më të frekuentuara të qytetit. Disa prej tyre u përpoqën të ndihmonin në fillim me mjete të thjeshta, por flakët ishin shumë të fuqishme.

Fatmirësisht, askush nuk pësoi lëndime fizike, megjithatë dëmet materiale janë të konsiderueshme. Shtëpia, e cila prej vitesh nuk ishte në gjendje të mirë, u shkatërrua nga flakët.

Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta. Autoritetet po hetojnë nëse bëhet fjalë për një defekt elektrik, pakujdesi njerëzore apo ndonjë faktor tjetër që mund të ketë shkaktuar tragjedinë e shmangur për pak.

Ndaj Postimin: