Zjarri në Crans-Montana, 55-vjeçari përshkruan si shpëtoi dhjetë persona nga flakët

Një shtetas italian në Zvicër ka rrëfyer momentet dramatike kur arriti të shpëtojë dhjetë persona nga zjarri i rënë në barin “Le Constellation” në Crans-Montana, në natën e ndërrimit të viteve.

Paolo Campolo, 55 vjeç, duke folur nga spitali në Sion, ku po trajtohet për probleme serioze të frymëmarrjes si pasojë e thithjes së tymit, tregoi se u alarmua nga një telefonatë e vajzës së tij 17-vjeçare rreth orës 01:20 të mëngjesit.

Sipas tij, vajza e tij Paolina, e cila studion në një shkollë të mesme në Gjenevë dhe ishte kthyer në shtëpi për festat, ishte nisur për të festuar Vitin e Ri në klubin “Le Constellation”, ku ndodhej edhe partneri i saj. Ajo u vonua pasi ndaloi fillimisht në shtëpinë e të atit për ta përshëndetur, për të bërë një dolli dhe për të prerë panettone-n.

“Ishte faji ynë që u vonuam. Ajo duhet të kishte qenë në klub deri në mesnatë. Sot mund ta them pa asnjë ekzagjerim, kjo vonesë i shpëtoi jetën”, tha Campolo.

Paolina nuk arriti të hynte në lokal, ndryshe nga partneri i saj, i cili kishte hyrë më herët. Pas telefonatës së vajzës, Campolo vrapoi drejt lokalit me fikësen e tij të zjarrit, pasi nga shtëpia e tij, që ndodhet pak larg, kishte parë flakët.

Ai tregoi se zjarri ishte përhapur me shpejtësi dhe dhunë ekstreme, duke zgjatur vetëm disa minuta, por duke konsumuar oksigjenin brenda ambientit. “Pastaj u ndal. Por nuk kishte më oksigjen brenda. Dhe kjo është ajo që shkaktoi tragjedinë”, u shpreh ai.

Campolo kujtoi se e pa vajzën e tij jashtë ndërtesës, në gjendje shoku, duke pritur që partneri i saj të dilte. Ai arriti të shpëtojë për pak sekonda, por ndodhet në spital në Bazel, në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, me djegie të gjera.

“Arrita të hyja me forcë dhe kështu arrita të shpëtoja dhjetë të rinj. Përmes dritareve mund të shihja këmbë dhe krahë, trupa të shtrirë në dysheme”, tha ai.

Ai shtoi se disa nga personat e shpëtuar ishin të dehur dhe të plagosur, disa prej tyre rëndë, dhe shprehu mirënjohje për një të huaj që e ndihmoi, si edhe për bizneset dhe profesionistët lokalë që u mobilizuan menjëherë për ndihmë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033