Në Drenovë të Mallakastrës vijojnë tre vatra aktive, ndërsa zjarrfikësit luftojnë me flakët që përhapen për shkak të erës së fortë
Në zonën e Drenovës në Mallakastër, situata mbetet kritike pasi tre vatra zjarri janë ende aktive që nga orët e para të mëngjesit të sotëm. Flakët janë riaktivizuar dhe po përhapen me shpejtësi në një sipërfaqe të gjerë, të favorizuara nga era e fortë dhe terreni i vështirë.
Shërbimet zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po bëjnë përpjekje maksimale për të izoluar flakët, në pritje të mbërritjes së helikopterit për ndërhyrje nga ajri. Mungesa e mjeteve dhe e aksesit në disa pjesë të terrenit po e vështirëson ndërhyrjen efektive.
Zjarri ka përfshirë një pjesë të madhe të masivit pyjor me pisha, duke kërcënuar seriozisht florën dhe faunën lokale. Në orët e paradites, janë raportuar edhe sipërfaqe të konsiderueshme të ullishteve që janë shkrumbuar plotësisht.
Banorët e zonës janë të alarmuar dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet qendrore për të shmangur përhapjen drejt zonave të banuara. Deri tani nuk raportohen dëme në banesa apo rrezik për jetë njerëzish, por situata mbetet e rrezikshme.
Autoritetet vendore kanë kërkuar asistencë nga strukturat e mbrojtjes civile dhe Emergjencat, ndërsa pritet që fluturimet e helikopterit të ndihmojnë në shuarjen e vatrave më të mëdha. Meteorologët paralajmërojnë se era do të vijojë edhe në orët në vijim, duke rritur rrezikun e përhapjes së mëtejshme.
Deri në orën 13:00, nuk është bërë e mundur neutralizimi i asnjë prej vatrave, dhe pritet që përpjekjet të intensifikohen në pjesën e pasdites. Qytetarët janë paralajmëruar të qëndrojnë larg zonës së prekur për shkak të tymit dhe përhapjes së shpejtë të zjarrit.
Ky është rasti i tretë brenda javës që Mallakastra përballet me flakë, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi efektivitetin e masave parandaluese dhe gatishmërinë institucionale për të përballuar emergjenca të tilla.