Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë pyllin me pisha të vjetër në fshatin Gjinoqarë të bashkisë Patos, duke shkaktuar dëme të mëdha në një sipërfaqe të madhe.
Flakët po përhapen shpejt, duke u ndihmuar nga era e fortë, ndërkohë që terreni i vështirë bën të pamundur ndërhyrjen e shpejtë të forcave zjarrfikëse.
Banorët e zonës raportojnë se zjarri u përhap brenda pak minutash, duke kapluar sipërfaqe të mëdha pyjore me pisha që kanë qindra vjet jetë. Sipas tyre, era që fryn në zonë po ushqen flakët, duke vështirësuar situatën dhe duke rritur rrezikun për përhapje më të madhe të zjarrit.
Alket Halimi, shefi i zjarrfikësve në Patos, shpjegon se në vendngjarje janë angazhuar katër automjete zjarrfikëse nga Patosi dhe Mallakastra, por ndërhyrja mbetet jashtëzakonisht e vështirë. Ai thekson se terreni i thyer e bën të pamundur lëvizjen e mjeteve zjarrfikëse dhe për këtë arsye, po punohet me mjete rrethanore dhe me ndihmën e banorëve dhe strukturave të bashkisë.
Pavarësisht përpjekjeve, flakët po avancojnë nën ndikimin e erës, duke rrezikuar përhapjen e mëtejshme të zjarrit. Megjithatë, Halimi siguron se për momentin nuk ka rrezik për banesat, pasi pylli i djegur ndodhet në një zonë midis fshatrave Gjinoqare dhe Drenie, larg zonave të banuara.
Ky pyll me pisha kishte kaluar një fat të njëjtë rreth tre vjet më parë, ku një zjarr i madh kishte përfshirë të njëjtën sipërfaqe. Banorët shprehin shqetësim të thellë për dëmin që po pëson natyra dhe apelojnë për një ndërhyrje më efikase dhe mbështetje të shtuar nga autoritetet.
Situata mbetet kritike dhe forcat zjarrfikëse bashkë me banorët po vazhdojnë luftën ndaj flakëve, duke shpresuar të shmangin dëme më të mëdha në këtë zonë me vlera natyrore të rëndësishme.


