Zjarrët përfshijnë disa zona në Dibër, vatrat përhapen në terrene të vështira

Katër vatra zjarri janë ende aktive në qarkun Dibër, ndërsa forcat në terren përballen me terren të thyer dhe përhapje të shpejtë të flakëve

Situata me zjarret në qarkun e Dibrës vijon të jetë e rënduar, me disa vatra ende aktive në zona të vështira malore. Në Plan Bardhë, në Bashkinë Klos, njëra prej vatrave është drejt shuarjes, ndërsa në Malin e Allushit, zjarri vijon të përhapet drejt majës së qafës së malit në kahun verilindor.

Në këtë zonë janë angazhuar 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 20 forca të emergjencës civile, të cilët po përpiqen të frenojnë përhapjen e flakëve. Vatra të tjera janë regjistruar në Qafën e Buallit mbi Rrugën e Arbrit, në afërsi të varrezave të Bulqizës dhe në faqen jugore të Majës së Lepurit, ku zjarri ka krijuar një vijë të gjatë prej 800 metrash.

Për izolimin e kësaj vatre janë mobilizuar 6 automjete zjarrfikëse dhe 25 punonjës të bashkisë përkatëse. Edhe Parku Kombëtar i Lurës vijon të përballet me dy vatra të mëdha, në zonat e Fushës së Pelave dhe Gurë Lurës. Gjatë natës, për shkak të rënies së temperaturave, intensiteti i flakëve ka rënë disi.

Në fshatin Sinë, brenda Njësisë Administrative Arras, zjarri po përparon me ritme të ngadalta drejt zonës së banuar, ku janë vendosur 6 forca të emergjencës dhe 35 banorë të angazhuar për të ndihmuar në përballimin e flakëve. Sakaq, në Zall Gjocaj janë regjistruar dy vatra aktive edhe gjatë natës.

Vatra e parë është përhapur në drejtimin Tolle–Fush Tolle–Qafë Kuqe, ndërsa e dyta në zonën Qafë Tanë–Memush–Dejë. Në këtë zonë janë dislokuar 15 punonjës të bashkisë dhe 30 efektivë të FA. Megjithatë, për shkak të terrenit të thepisur dhe përmasave të mëdha të zjarrit, ndërhyrja tokësore është e pamundur.

Ndaj Postimin: