Zjarret përfshijnë disa qarqe, 7 vatra ende aktive në vend

Temperaturat e larta kanë rikthyer emergjencën e zjarreve, me 7 vatra ende aktive që po rrezikojnë pyje, kullota dhe pasuri në disa qarqe të vendit.

Sipas Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 18 vatra zjarri në gjithë territorin. Nga këto, 11 janë shuar, ndërsa 7 të tjera vijojnë të jenë aktive, duke kërkuar ndërhyrje intensive nga toka dhe ajri.

Në qarkun e Vlorës, situata më problematike është në fshatin Navaricë, njësia administrative Dhivër, bashkia Finiq. Era e fortë ka vështirësuar punën e forcave në terren, ndërsa në ndihmë janë angazhuar një helikopter i Forcës Ajrore dhe avioni kroat Canadair.

Në qarkun e Fierit, në fshatin Lofkënd, bashkia Mallakastër, zjarri është izoluar pjesërisht, por vijon të jetë aktiv në zonat jugore dhe veriperëndimore. Në operacion janë angazhuar 25 efektivë të Forcave të Armatosura dhe forca të tjera vendore.

Në qarkun e Lezhës, në fshatin Malaj i Epërm, bashkia Mirditë, flakët kanë përfshirë pyje me pisha dhe lisa në një terren të vështirë. Përdorimi i mjeteve ujë-hedhëse është i pamundur, ndaj po krijohen breza ndarës për të penguar përhapjen. Aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Dibër, në “Malin e Allushit” të fshatit Plani Bardhë, është riaktivizuar një vatër e shuar më parë, por është vendosur nën kontroll. Ndërkohë, në Elbasan, në fshatin Lleshaj, zjarri mbahet nën monitorim nga Shërbimi Pyjor për të shmangur riaktivizimin.

Në qarkun e Tiranës, në malin e Bërzhitës, flakët janë vënë nën kontroll nga forcat zjarrfikëse dhe janë drejt izolimit. Edhe në Tepelenë, midis fshatrave Turan dhe Dukaj, puna për shuarjen vijon. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka deklaruar gatishmëri të plotë për koordinimin e operacioneve dhe mbrojtjen e qytetarëve.

Ndaj Postimin: