“Zjarre partizane” dhe rrethim i Kryeministrisë? Nard Ndoka paralajmëron skenarë më të ashpër për protestën e radhës

Pas protestës së 10 shkurtit, e cila u shoqërua me molotovë, përplasje me policinë, të plagosur dhe të arrestuar, Nard Ndoka paralajmëron një përshkallëzim të mëtejshëm të aksionit opozitar.

Sipas tij, protesta e planifikuar për 20 shkurt nuk do të jetë “fotokopje” e asaj të mëparshmes, por pritet të jetë edhe më e ashpër, me forma të reja reagimi dhe me një qasje më të zgjatur në kohë.

Ndoka deklaroi se opozita ka në dispozicion “të gjithë skenarët e mundshëm”, duke përmendur mundësinë e një qëndrese afatgjatë, rrethim të Kryeministrisë, përqendrim më të madh protestuesish dhe madje edhe grevë urie nga grupi parlamentar.

“Protesta ka skenarët e veta, por është në varësi të zhvillimeve dhe këmbënguljes së qytetarëve. Pa diskutim që opozita do të ketë të gjithë skenarët e mundshëm. Protesta nuk do të jetë fotokopje e 10 shkurtit. Do të jetë e ashpër, por edhe me forma të tjera. Mund të jetë një qëndresë afatgjatë. Do të ketë zhvillime interesante, pasi kemi përballë një regjim të konsoliduar. Protesta është e vetmja mënyrë sot. As zgjedhjet nuk japin shpresë.

E vetmja shpresë që ta largojmë këtë kryeministër është protesta. Ka propozime të ndryshme, që edhe të rrethohet Kryeministria, të ketë përqendrim më të madh, mund të devijojë edhe në varësi të mbështetjes së qytetarëve. Mund të ketë grevë urie të grupit parlamentar, mund të ketë zjarre partizane si dikur në bulevard, e qëndresa të gjata. Janë disa skenarë, por kjo është në dorë të qytetarëve. Kjo është qëndresë dhe sakrificë. Nëse më 10 shkurt kishim një protestë agresive, me datë 20 do ta kesh dyfish më agresive”, u shpreh ai.

Kujtohet se gjatë protestës së organizuar nga Partia Demokratike më 10 shkurt, u lënduan 19 efektivë policie dhe u arrestuan 21 shtetas. Dhuna e ushtruar nga militantët e PD-së u dënua ashpër nga mazhoranca.

Deklaratat e Ndokës shtojnë tensionin politik në prag të një tjetër përballjeje në rrugë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse protesta e radhës do të ndjekë skenarin e paralajmëruar apo do të marrë një tjetër formë zhvillimi.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033