Zjarr masiv shkrumbon banesa në Delvinë, autoritetet në alarm

Zjarri në fshatin Senicë ka përfshirë 11 banesa dhe një strukturë agrobiznesi, ndërsa banorët po evakuohen në kushte emergjente nga autoritetet lokale.

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në fshatin Senicë të Delvinës, duke shkatërruar totalisht 11 banesa dhe një objekt të dedikuar për zhvillim agrobiznesi. Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta dhe terrenit të thatë në zonë.

Sipas informacioneve nga terreni, situata konsiderohet tepër kritike, ndërsa zjarrfikësit dhe shërbimet e emergjencës po përpiqen të përmbajnë flakët dhe të ndihmojnë në evakuimin e banorëve të zonës. Disa prej familjeve janë larguar tashmë, ndërsa të tjera po ndihmohen nga forcat vendore për t’u larguar nga shtëpitë e tyre.

Kryebashkiaku i Delvinës, Besmir Veli, ka deklaruar, se situata është jashtëzakonisht e vështirë dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga të gjitha strukturat shtetërore.

“Po punojmë pa ndalur për të evakuuar çdo banor. Të gjitha shërbimet janë në gatishmëri. Fatmirësisht, deri tani nuk kemi të lënduar, por dëmet janë të mëdha,” tha ai.

Ndërkohë, flakët kanë krijuar një re tymi që po përhapet në gjithë zonën përreth, duke rrezikuar edhe banesa të tjera. Përveç ndërhyrjes në terren, është kërkuar ndihmë shtesë për të kontrolluar përhapjen e zjarrit.

Banorët shprehen të frikësuar dhe të dëshpëruar për humbjet që po përjetojnë. Disa prej tyre janë larguar me rrobat e trupit, pa mundur të shpëtojnë asgjë nga shtëpitë e tyre.

Ende nuk ka një raport zyrtar mbi shkaqet e zjarrit, por dyshohet se mund të jetë shkaktuar nga temperatura të larta dhe ndonjë burim i pakujdesshëm i nxehtësisë. Autoritetet pritet të japin detaje të tjera në orët në vijim.

Ndaj Postimin: