Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e kësaj të hëne, pasi një zjarr i përmasave të mëdha shpërtheu në fabrikën e biskotave VIOLANTA në qytetin e Trikalas, duke shkaktuar humbjen e jetës së tre grave, ndërsa dy punëtore të tjera vijojnë të rezultojnë të zhdukura.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka rënë pak para orës 04:00 të mëngjesit, pas një shpërthimi të fuqishëm që përfshiu një pjesë të konsiderueshme të objektit. Në zonën ku ndodhi shpërthimi ndodheshin pesë punëtore në momentin e incidentit.
Tre prej tyre janë gjetur pa shenja jete, ndërsa kërkimet vijojnë për dy punëtoret e tjera, të cilat ende nuk janë lokalizuar. Operacioni i kërkim-shpëtimit po zhvillohet në kushte të vështira për shkak të dëmtimeve të mëdha strukturore.
Si pasojë e ngjarjes, pesë punëtorë të tjerë dhe një zjarrfikës janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Sipas autoriteteve shëndetësore, të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe janë në gjendje të stabilizuar.
Një pjesë e fabrikës është shembur për shkak të shpërthimit dhe flakëve, ndërsa sipas dëshmive të një punonjësi, në sektorin ku shpërtheu zjarri nuk kishte depozita me gaz LPG.
Për arsye sigurie, policia ka bllokuar rrugën Karditsi dhe ka devijuar qarkullimin e automjeteve përmes fshatit Agia Kyriaki. Në vendngjarje po operojnë rreth 40 zjarrfikës me 15 automjete, si dhe forcat e EMAK-ut, ndërsa një njësi shtesë nga Lamia është dërguar për përforcim. Hetimet për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit do të kryhen nga Drejtoria për Luftimin e Krimeve të Zjarrvënies së Qëllimshme.