Zhduket ‘Gjenerali’, vrasësi i Naim Zyberit

Gjashtë muaj pasi la qelinë në burgun e Drenovës në Korçë, Gert Gjinarari, miku i Arben Grorit, është shpallur sërish në kërkim kombëtar, pasi duhet të vuajë pjesën e mbetur të dënimit, me 25 vite burgim. Mësohet se prej gati një muaj Gert Gjinarari, i liruar nga qelia në 14 shkurt 2019 nga gjyqtari i Korçës, Markelian Kuqo, është shpallur në kërkim.

Kjo pasi një vendim gjykate i marrë nga gjykata e Apelit Korçë, ka vendosur të ndryshojë vendimin e lirimit të Gjinararit dhe ta kthejë atë sërish në ambientet e burgut të Drenovës, ku të vuajë vitet e mbetura të dënimit me 25 vite burgim.

Aktualisht vendimi është vënë në ekzekutim nga prokuroria e Korçës, e cila ka kërkuar nga policia e këtij qyteti që të arrestojë Gert Gjinararin.

E njëjta gjë i është kërkuar dhe Drejtorisë së Policisë Tiranë, ku ka vendbanimin Gjinarari, por prej një muaji ky i dënuar megjithëse ishte në shërbim prove dhe duhet të paraqitej një herë në javë pranë këtij shërbimi, ai ka humbur gjurmët duke mos u arrestuar sot e kësaj dite.

Lirimi i Gjinararit dhe më pas arratisja e tij, sjell edhe njëherë në vëmendje sistemin e dobët të drejtësisë në Shqipëri, ku një i dënuar me 25 vite burgim për akuzën e vrasjes lirohet nga qelia për sjellje të mirë duke u vënë në shërbim prove dhe më pas, zhduket pa lënë asnjë gjurmë, duke ju fshehur drejtësisë. Në këtë rast dhe në konditat e lirimit, sjellja e mirë e Gert Gjinararit, që shërbeu për gjyqtarin Kuqo si shkak për ta liruar, nuk vlen asnjë gjë.

Një burim pranë policisë së Korçës tha se për lirimin e Gjinararit nga burgu ka ndikuar influenca e një biznesmeni ndërtimi në qytetin e Korçës. Ndërkohë burimi shtoi se gjatë një muaji janë kryer disa kontrolle në Tiranë, Korçë dhe Durrës, me shpresën e arrestimit të Gert Gjinararit dhe kthimin me tij në qeli, por të gjitha ndërhyrjet kanë qenë pa rezultat. Gert Gjinarari u ekstradua në Shqipëri në vitin 2014, ndërsa akuzohet si bashkëpunëtor me Arben Grorin në vrasjen e bujshme të Naim Zyberit. Një pjesë të dënimit me 25 vite burgim Gjinarari e ka kryer në Itali dhe Shqipëri në burgun e Drenovës, por në 14 shkurt 2019 gjyqtari Markelian Kuqo vendosi ta lirojë me kusht mikun e Arben Grorit, duke urdhëruar që dënimin e mbetur ta kryejë në shërbim prove.

Denoncimi i rastit u bë publik dhe gjatë një konference për shtyp ministria e Drejtësisë Etilda Gjonaj e quajti vendimin e lirimit skandal të drejtësisë shqiptare.

Gjonaj në muajin shkurt i kërkoi KLGJ të nisë procedimin disiplinor për gjyqtarin Markelian Kuqo që e liroi, si dhe pezulloi nga detyra drejtuesit e burgut të Drenovës që i përgatitën Gjinararit dosjen e lirimit. Gjonaj tha se lirimi me kusht i Gjinararit, njohur si “Gjenerali”, është në shkelje me ligjin.

Sipas saj ministria e Drejtësisë ka bërë një hetim paraprak ku është konstatuar se është dhënë në kundërshtim me kriteret ligjore dhe kërkesat e kodit penal për dhënien e lirimit me kusht për një të dënuar me burgim të përjetshëm.

Ministrja tha se i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe inspektoratit për të kërkuar nisjen e procedimit disiplinor për gjyqtarin, duke shprehur sigurinë se përgjigjja nga këto institucione do të jetë e shpejtë.

Ndërkohë, drejtori i Burgut është proceduar dhe janë referuar materialet pranë Prokurorisë Korçë, për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumenti”, dhe deri në zbardhjen e ngjarjes janë të pezulluar nga detyra. Aktualisht për këta zyrtarë vijojnë hetimet në prokurorinë e Korçës.

ARBEN GRORI

Ndërkohë nga ana tjetër, shoku i ngushtë i Gert Gjinararit, Arben Grori, i dënuari me burgim të përjetshëm për vrasjen e Naim Zyberit, tashmë pret rihapjen e procesit gjyqësor kundër tij në gjykatën e Tiranës.

Grori ka mundur të rihapë dosjen duke shfrytëzuar hapësirat e Kodit të Procedurës Penale të ndryshuar në 2017 dhe një vendim të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjyqtarët e Apelit Tiranë Alaudin Malaj dhe Fatmira Hajdari në vendimin e tyre të datës 20 maj 2019 kanë shfrytëzuar pikërisht nenin 450, pika d) të Kodit të Procedurës Penale dhe vendimin e Strasburgut, duke i pranuar kërkesën Arben Grorit për rishqyrtimin e dosjes gjyqësore që bën fjalë për vrasjen e Naim Zyberit në Itali.

Ky vendim i marrë nga Hajdari dhe Malaj ka ngjallur shpresat e Grorit për lirim nga qelia, pasi prej më shumë se 18 vitesh ai qëndron pas hekurave të burgjeve të sigurisë së lartë në Shqipëri. Lirimi i Grorit dhe Gjinararit do të thotë që dy vrasësit e Naim Zyberit në Itali, i kanë mbyllur njëherë e mirë problemet me drejtësinë për këtë krim të rëndë.

Neni 450 pika d i Kodit të Procedurës që flet për “Rastet e Rishikimit”, thotë se: “…kur shkaku për rishikimin e vendimit të formës së prerë rezulton nga një vendim i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut që e bën të domosdoshëm rigjykimin e çështjes. Kërkesa paraqitet brenda 6 muajve nga njoftimi i vendimit…”. Pra brenda 6 muajve dhe jo brenda 8 viteve siç ka ndodhur me këtë rast.

Por pavarësisht këtij afati, dy gjyqtarët e Apelit Tiranë Hajdari dhe Malaj kanë argumentuar në vendimin e tyre se: “…është e vërtetë që e drejta për rishikim vendimi të dënuarit i ka lindur në korrik 2009, kur ai ka marrë dijeni efektivisht për vendimin e gjykatës së Strasburgut, por kërkuesi Arben Grori nuk mund t’i drejtohej gjykatave shqiptare, për të kërkuar rishikimin e vendimit, në një kohë kur në legjislacionin e brendshëm të shtetit shqiptar, nuk parashikohej e drejta e rishikimit, kur shkaku për rishikim kishte për bazë një të drejtë të fituar nga gjykata e Strasburgut…”

Ndaj Postimin: