Përgjegjësit reagojnë pas raportimit në media, ndërhyn zjarrefikësja për pastrimin e katit të parë të mbuluar nga uji i ndotur
Një problem shqetësues që kishte zgjatur për muaj me radhë në poliklinikën e qytetit të Lushnjes ka marrë më në fund zgjidhje. Kati i parë i godinës, që prej kohësh ishte i mbuluar nga ujërat e ndotura dhe një erë e rëndë, u pastrua sot nga shërbimet zjarrfikëse pas një reagimi të menjëhershëm të drejtuesve të spitalit të qytetit.
Situata u bë publike përmes një kronike të gazetarit Ndriçim Gjoshi nga TV Apollon, ku theksohej se ambienti i ndotur, që shërbente si depo për pompimin e ujit në rubinetat e mjekëve specialistë, përbënte një rrezik për shëndetin publik. Pavarësisht përdorimit të përditshëm për funksione thelbësore të poliklinikës, askush nga autoritetet përgjegjëse nuk kishte ndërhyrë deri në momentin e publikimit të lajmit.
Reagimi erdhi vetëm një ditë më pas. Forcat zjarrfikëse të qytetit, të pajisura me mjetet përkatëse, zbrazën ambientin që ndodhej nën ujë deri në 40 cm thellësi. Ky veprim i vonuar vë në dukje mungesën e përgjegjësisë për ruajtjen e higjienës dhe mirëmbajtjes së ambienteve të shëndetit publik, që sipas ligjit duhet të jenë gjithnjë të pastra dhe funksionale.
Gjatë ditës së sotme, kamera e TV Apollon ishte sërish pranë poliklinikës për të ndjekur nga afër zhvillimet. Gazetari Gjoshi komunikoi me përgjegjësin e sektorit mbështetës të institucionit, z. Juljan Sharka, i cili konfirmoi se po kryheshin punimet për pastrimin dhe zhbllokimin e kanaleve të ujërave të zeza.
Z. Sharka theksoi se zona do të mbahet tashmë nën vëzhgim të vazhdueshëm për të parandaluar rikthimin e situatave të tilla. Ai shtoi se synimi është të ofrohet një shërbim dinjitoz dhe i sigurt për qytetarët në të gjitha ambientet publike të shëndetësisë.
Kjo ngjarje risjell në vëmendje rolin e rëndësishëm të medias lokale në evidentimin e problematikave dhe detyrimin që institucionet kanë për të garantuar standarde minimale të higjienës e sigurisë për komunitetin.
Autoritetet vendore pritet të ndjekin më nga afër funksionimin e objekteve publike për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen, ndërsa qytetarët shpresojnë që reagime të tilla të mos mbeten vetëm të përkohshme.